Qeveria: Djegia e veturës, akti papranueshëm / VMRO kërkon hetimin e prejardhjes së veturës

Qeveria: Djegia e veturës, akti papranueshëm / VMRO kërkon hetimin e prejardhjes së veturës

Gazetar: Mefail Ismaili

Edhe Qeveria sot ka reaguar për djegien e veturës që shfrytëzohej nga Artan Grubit dhe e ka cilësuar rastin si akt dhune ndaj zëvendëskryeministrit. Nga Qeveria thonë se siguria është prioritet kryesor në një shoqëri demokratike andaj institucionet po veprojnë me shpejtësi.

“Qeveria dënon aktin e djegies së automjetit të përdorur nga nënkryetari i parë i Qeverisë, Artan Grubi dhe e konsideron atë si një akt dhune plotësisht të papranueshëm dhe të palejueshëm në një shoqëri demokratike që angazhohet për vlerat evropiane. Të gjitha institucionet kompetente, organet hetimore dhe gjyqësore, në kuadër të kompetencave të tyre, veprojnë pa vonesë, me vendosmëri dhe profesionalizëm për zbardhjen e plotë të këtij rasti në kohën më të shpejtë të mundshme”, deklarojnë nga Qeveria.

Opozita ndërkohë kërkon që institucionet të hetojnë pasurinë e Artan Grubit. Nga VMRO-DPMNE thonë se Prokuroria publike duhet të hetojë pse Grubi nuk e ka paraqitur veturën e tij e cila kushton rreth 80 mijë euro.

“Pse Grubi nuk e ka paraqitur automjetin i cili u dogj në listën e tij anketuese. Kërkojmë nga Prokuroria Publike të hapë procedurë për fshehjen e pronës, fshehjen eventuale të tatimit dhe keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare kundër Grubit, i cili, veturën të cilën e gjithë Qeveria dëshmoi se është i tij nuk e ka paraqitur në listën anketuese dhe nuk e ka regjistruar në emër të tij”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

Nga Lëvizja BESA thonë se Grubi, Aleanca për Shqiptarët dhe Qeveria nuk duhet të derdhin lot krokodili, por duhet të japin llogari.

“Fakti që veturën e tij luksoze e ka regjistruar në emër të tjetër kujt, Artan Grubi duhet të japë llogari edhe sa prona të tjera të tij i ka të fshehura në emër të tjetërkujt, të familjarëve të tij dhe njerëzve tjerë të besueshëm. Nëse Grubi nuk e bënë këtë, u bëjmë thirrje institucioneve përkatëse si Komisionit për Anti Korrupsion dhe Prokurorisë publike që të fillojnë hetimet për Artan Grubin në bazë të kompetencave të tyre”, njoftojnë nga Lëvizja BESA.

Nga prokuroria publike në Shkup, thonë se menjëherë pas djegies së veturës ka dhënë urdhër për zbardhjen e shpejtë të rastit, por edhe për sigurimin e të dhënave për mënyrën dhe kohën e blerjes, pronësinë dhe përdorimin e automjetit.

“Është urdhëruar organi kompetent për të evidentuar dhe ndjekur gjendjen pronësore të personave të zgjedhur dhe emëruar. Për të bërë kontrollin e të dhënave në deklaratat për gjendjen pronësore është Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit. Nëse kontrollet dërgojnë në elemente për vepër penale e cila ndiqet me detyrë zyrtare, prokuroria do të veprojë në pajtueshmëri me kompetencat e saj ligjore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button