Qeveria e Kosovës i përgjigjet propozimit të Ramës

Qeveria e Kosovës i përgjigjet propozimit të Ramës

Qeveria e Kosovës i është përgjigjur propozimit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ekzekutivi i Kosovës thotë se nga Shqipëria zyrtare presin mbështetje pasi ndërmjetësues tashmë janë bërë shumë. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu për KosovaPress thotë se qëllimi serb për Asociacionin shihet edhe me nonpaper-in e Akademisë së Shkencave dhe të Artit të Serbisë ku flet për “Botën serbe”.

“Çështja e marrëveshjeve të mëhershme për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është çështje e funksionalitetit të shtetit të Kosovës dhe kjo u dëshmua me draftin e prezantuar nga Ekipi Menaxhues që drejtohej nga deputetja e Vuçiqit që synonte një Republika Sërpska në Kosovë dhe së fundmi me nonpaperin e Akademisë së Shkencave dhe e Artit e Serbisë që flet për ‘Botën serbe’. Në të dy rastet në pyetje është Kosova. Në të dy rastet rreziku është Serbia. Nga Shqipëria zyrtare presim mbështetje. Ndërmjetësues kemi shumë”, thotë Kryeziu.

Nga ana tjetër, analistët propozimin e Edi Ramës, pa konsultim me institucionet e Kosovës e shohin si tentim për protagonizëm.
“Unë nuk dua me pa çdo hap të Republikës së Shqipërisë në raport me Kosovën si ndërhyrje në punët e brendshme, mirëpo konsideroj se raporti do të duhej të ishte në atë mënyrë që mos të pengosh njerëzit kompetentë në Kosovë. Këtë e kam pa si vullnet të tij për të luajtur rolin e neutralit, i cili nuk është neutral, pasi qasja e tij ishte më tepër sesa një neutralit në raportin Kosovë-Serbi”, deklaroi Albinot Maloku, analist.

“Mund të them se është një draft që duket se më shumë është i ardhur nga kancelaritë e huaja dhe i prezantuar përmes zotëri Rama. Dokumentet e tilla kërkojnë kohë dhe asistencë dhe mbi të gjitha një lloj përgatitje dhe paralajmërim se po punohet për një draft të tillë. Në momentin kur autoritetet e Kosovës thonë se nuk dinin asgjë për këtë, një farë mënyre lë për të dëshiruar. Kurse sa i përket procesit dhe kontributit të Shqipërisë mendoj se duhet të vlerësohet, pasi Shqipëria nuk mund të rri larg aktorëve të tjerë”, theksoi Ben Andoni, analist.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, këtë javë bëri të ditur se i ka dorëzuar një draft të Asociacionit kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit francez, Emmanuel Macron. Ky dokument në bazë të raportimeve është vlerësuar si serioz nga Bashkimi Evropian. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button