Qeveria e Kosovës lejon organizimin e dasmave dhe ahengjeve tjera

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të martën për lehtësim të mëtutjeshëm të masave kufizuese, me qëllim të luftimit të pandemisë së koronavirusit.
Në arsyetimin e Qeverisë është thënë se vendimi është marrë pas uljes së numrit të rasteve të infektimit me koronavirus.
“Ulja e rasteve pozitive për dy javët e fundit, krahasuar me dy javët paraprake shënon rënie për 64.26%, me numër mesatar të rasteve 14.85 raste në ditë, në krahasim me dy javët paraprake me numër mesatar 41.57 raste”, është thënë në arsyetim.
Në mesin e heqjes së masave është përmendur mbajtja e dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës deri në orën 23:00, me 30 për qind të kapacitetit të hapësirave, por jo më shumë se 200 të ftuar në rastet kur 30 për qind e kapacitetit të hapësirës tejkalon këtë numër.
Në mesin e masave tjera është përmendur që personat që hyjnë në territorin e Kosovës nga vendet me rrezik të lartë nga koronavirusi, duhet të kenë testin negativ për koronavirus.
Qeveria u ka ndaluar hyrjen në Kosovë personave që kanë qenë në dy javët e fundit në Indi, Brazil dhe Afrikë të Jugut, përveç qytetarëve të Kosovës dhe atyre që kanë lejeqëndrim, dhe atë me test negativ për koronavirus.
Në vendimin e Qeverisë, grave shtatzëna u është mundësuar që të punojnë nga shtëpitë.