Qeveria: Kemi rezerva të derivateve të naftës dhe drithit
Qeveria: Kemi rezerva të derivateve të naftës dhe drithit

Maqedonia e Veriut ka një sasi të kënaqshme të produkteve ushqimore dhe derivateve të naftës në rezervat e mallrave. Qytetarët nuk kanë nevojë të shqetësohen, në vend ka derivate të naftës, tregtarët e blejnë rregullisht karburantin sipas kërkesës, njoftuan sot nga Qeveria e RMV-së.
Qeveria u bën apel disa shitësve me pakicë të derivateve të naftës që të mos kufizojnë sasinë, pra sasinë me të cilën shesin karburantin për makina dhe konsumatorët të mos presin kolona në pikat e karburantit dhe të mos rezervojnë karburantin për arsye sigurie.
Kabineti qeveritar sërish njofton qytetarët që të jenë të qetë, pasi siç thonë ata, shteti ka sasi të mjaftueshme të drithërave në rezervat mallrake. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujit, mullinjtë vendas kanë një stok prej 45 mijë tonë grurë, sasi të cilat janë të mjaftueshme për nevojat e tregut vendas deri në korrjen e ardhshme.
“Është e rëndësishme që qytetarët të dinë se sipas të dhënave zyrtare statistikore kemi rritje të prodhimit të grurit i cili nga 195 mijë tonë në vitin 2017, vitin e kaluar është rritur në 253 mijë tonë. Qeveria do të vazhdojë me këtë ritëm të investimeve në prodhimin bujqësor edhe në periudhën e ardhshme, me të vetmin qëllim që të ketë siguri në prodhimin e degëve strategjike bujqësore. Dihet se nëse prodhimi vendor i grurit është 253 mijë tonë, kurse nevojat vjetore për grurë janë rreth 300 mijë tonë, çdo vit pjesa tjetër e grurit sigurohet nga importi me Serbinë. Importi i përgjithshëm i grurit në vitin 2017 ka qenë 87 mijë tonë, ndërsa në vitin 2021 është ulur dhe ka arritur në 74 mijë tonë. Importi i miellit në vitin 2017 është 53 mijë tonë, ndërsa në vitin 2021 është 41 mijë tonë. Importi i elbit në vitin 2017 ishte 15 mijë tonë, ndërsa në vitin 2021 vetëm 950 tonë. Kjo nënkupton plotësimin e plotë të nevojave vendore për prodhimin e elbit”, sqaroi Qeveria.