Qeveria LSDM-BDI, me nisma të mbetura në gjysmë


Në kohën kur pritet ta vulosin marrëveshjen për qeverinë e re, dy parterët e deritanishëm të koalicionit, LSDM dhe BDI nuk tregojnë nëse dhe si janë marrë vesh për nismat e lëna përgjysmë gjatë mandatit të kaluar: Vetingun, ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe regjistrimin e popullsisë. Propozim ligji për Vetingun i dorëzuar nga BDI ka ngecur në procedurat parlamentare. Vetingu ishte një nga pikat e platformës parazgjedhore të integristëve dhe një nga kushtet e kësaj partie për pjesëmarrje në qeverinë e ardhshme të vendit. Socialdemokratët në parim janë shprehur pro një procesi të këtillë në të gjitha institucionet shtetërore, por kanë thënë se “pastrimi” duhet bërë pasi të krijohen kushtet, përkatësisht kapacitetet e nevojshme.

Edhe ndryshimet zgjedhore kanë mbetur pezull, ndonëse debati për ndryshime në Kodin Zgjedhor ishte hapur disa herë. LSDM mbështeste idenë e bashkimit të 6 njësive aktuale në vetëm një njësi zgjedhore, ndërsa BDI ishte për 3 njësi zgjedhore. Derisa LSDM mbështeste ndryshimet e propozuara nga parti të vogla, BDI me VMRO DPMNE-në bllokoi debatin me afër 6000 amendamente të propozuara. Proces po aq urgjent është edhe regjistrimi i popullsisë i cili në vend nuk është realizuar që nga viti 2002. Nga OSBE- ODIHR dhe ekspertë të sferave të ndryshme në vazhdimësi është nënvizuar si kyç për politikëbërje të saktë. Megjithatë dy partnerët e koalicionit e kishin shtyrë për në vitin 2021, pasi, për shumë arsye, dështuan ta bënin në prill të vitit të kaluar. Ky proces kishte dështuar edhe në vitin 2011. Ndërkohë si pastërtia e figurës apo rezultatet në luftën ndaj korrupsionit të nivelit të lartë ashtu edhe reformat zgjedhore dhe regjistrimi i popullsisë janë çështje edhe në interes të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button