Qeveria s’merr përgjegjësi për zbatimin e shqipes

Gazetare: Fatlume Dervishi

Qeveria ja len në tërësi Agjencisë për zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve përgjegjësinë për të ndihmuar dhe të mbështetur avancimin e përdorimit të shqipes nga institucionet, shkruan Alsat.

Të pyetur se si planifikojnë t’i detyrojnë institucionet të sigurojnë zbatimin e shqipes dhe cila është strategjia për zgjidhjen e problemit me mungesën e kuadrove të përkthyesve nëpër institucione, nga Qeveria përgjigjen në mënyrë të tërthortë dhe jokonkrete, duke mos marrë asgjë përsipër.

“Mbështetje për zbatimin e këtij ligji jep Agjencia për zbatimin e Ligjit për gjuhët e cila ka rol këshillëdhënës gjatë përkthimit dhe lektorimit, nxjerrjes së publikimeve, me qëllim të përmbushjes së boshllëqeve kadrovike me të cilat përballen institucione të caktuara. Po ashtu, funksioni i Agjencisë është që të ndihmojë, ta lehtësojë dhe ta mbështesë procesin e zbatimit të dispozitave ligjore me qëllim të lehtësimit të procedurës për qytetarët gjatë shfrytëzimit të shërbimeve publike”, njoftojnë nga Qeveria.

Nga ekzekutivi mjaftohen me përgjigjen se institucionet e pushtetit qendror dhe lokal, janë të obliguara të zbatojnë dispozitat e ligjit për përdorimin e gjuhëve. Megjithatë, shërbimin që e kërkuam në shqip, nuk e morëm në shqip. Në pyetjet e dërguara nga Alsat në gjuhën shqipe në Qeveri, përgjigjet i morëm në maqedonisht. Me të tilla raste përballen çdo ditë qytetarët të cilët shërbimet s’mund t’i marrin në gjuhën amtare nga institucionet. Këtë në disa prej tyre e ka konstatuar edhe Inspektorati për zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve kurse institucionet arsyetohen me mungesën e kuadrit të përkthyesve në organizimin e tyre të brendshëm.

Alsat një ditë më parë njoftoi se 154 persona me diplomë për përkthyes, interpretues, profesorë të gjuhës shqipe dhe të ngjashëm janë kërkues aktiv të punës në listën e Agjencisë për punësim./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button