Qeveria teknike shkon në histori? Do të vlejë vetëm edhe një palë zgjedhje
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Shumica parlamentare miratoi nevojën e ndryshimit të Ligjit të Qeverisë me çka hapet mundësia për shfuqizimin e Qeverisë teknike, por shfuqizimi nuk do të vlejë nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare por pas tyre. Nga shumica parlamentare konsiderojnë se qëllimi është të sigurohet stabilitet, siguri dhe mbrojtje të interesit publik ndërsa e vlerësojnë si pjesë e proceseve reformuese. Megjithatë opozita është kundër këtyre ndryshimeve. Thonë se duhet të merret mendimi i faktorit ndërkombëtar.
“Unë mendoj se shteti ynë nuk është mjaftueshëm i gatshëm për këto zgjedhje korrekte dhe demokratike pa mekanizma mbrojtës, përkundrazi mendoj se kohën e fundit edhe janë vështirësuar edhe më shumë kushtet për zgjedhje të lira korrekte dhe demokratike. Kërkojmë që ky ligj të tërhiqet nga rendi i ditës dhe të dërgohet në komitetin ndërmjet bashkësive”, tha deputeti Ilir Hasani nga Fronti Evropian.
Sipas deputetes së VLEN-it. Saranda Imeri Stafai, qëndrimi i BDI-së është një hipokrizi dhe përpjekje për shtrembërim të realitetit politik. Ajo nënvizon se qeveria teknike ishte një mekanizëm i përkohshëm, ndërsa pyeti BDI-në se a ishte konsultuar me ndërkombëtarët kur kërkoi heqjen e këtij mekanizmi në vitin 2023.
“Qeveria teknike nuk ishte një standard demokratik për t’u mbrojtur sot, por një zgjidhje emergjente e imponuar nga një krizë e thellë politike, krizë që erdhi si rezultat i bashkë qeverisjes së komprometuar dhe skandaleve të rënda ku BDI ishte pjesë në partneritet me regjimin e Nikolla Gruevskit”, deklaroi Saranda Imeri Stafai, VLEN.
LSDM-ja kritikon pushtetin për nxitim.
“Me atë që sot me shpejtësi, me procedurë të shpejtë në vend se me procedurë të rregullt doni të sillni ligj për qeveri, dhe nuk do të mund ti përmbushim ato kritere për agjendën reformuese sepse agjenda reformuese parasheh ashtu sikurse për zgjidhjet e tjera ligjore, pra Kod të ri Zgjedhor, Kod të ri Penal dhe gjithashtu Ligj të ri për Qeverinë. Nuk ka nevojë për asnjë shpejtim për miratimin e kësaj zgjidhjeje ligjore, të kthehemi në formatin të diskutojmë”, tha Oliver Spasovski nga LSDM.
Koordinatori i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski u përgjigj se partia e tij ka kërkuar shfuqizimin e qeverisë së Përzhinos edhe derisa ka qenë opozitë.
“Kjo ka filluar madje nga 20 janari kur Minçev na mblodhi të gjitha subjekteve politike, na dha ligjin që të mendojmë dhe të diskutojmë për ndryshimet eventuale që mund të ndodhin sepse edhe formalisht edhe jo formalisht kemi dëgjuar se qeveria teknike është zgjidhje që është tejkaluar dhe se duhet të ndryshohet”, u përgjigj deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski
Nga Fronti Evropian paraprakisht kërkuan që kjo zgjidhje ligjore të përfshihet në debat në komisionin për marrëdhënie mes komuniteteve, ndërsa akuzojnë se Kuvendi qëllimisht nuk mundëson formimin dhe funksionimin e komisionit. Nga shumica theksuan mundësinë që partitë opozitare të dorëzojnë amendamente, që nga nesër kur ky propozim ligj do të vendoset për diskutim në komisionin parlamentar të sistemit politik./Alsat.mk









