Qytetarët e Çairit dhe Butelit mbetën pa ngrohje qendrore

Gazetar: Andrea Çobanova

Më shumë se pesëqind banesa në Shkup-Veri, Fushë Topanë dhe Xhon Kenedi mbetën pa ngrohje qendrore në njërën nga ditët më të ftohta të vitit, shkruan Alsat.

Banorët thonë se nuk është hera e parë të mbeten pa ngrohje qendrore, edhe pse i paguajnë rregullisht faturat dhe institucionet nuk u japin përgjigje se pse nuk kanë ngrohje. Sipas banorëve, problemi ka lindur për shkak të borxheve të papaguara të SHA Ngrohtorja Shkup-Veri ndaj kompanisë që duhet të sigurojë gaz natyror për të pasur ngrohje.

“Dje kemi tentuar t’i marrim në telefon ata të Ngrohtores, por numri i tyre ishte jofunksional. Kemi kontaktuar përmes telefonave privatë dhe na thanë se opsioni më i keq është që për festa, respektivisht deri të hënën ose të martën, nuk do të kemi ngrohje. Ne jemi dëm kolateral këtu, ne që paguajmë rregullisht faturat në janar në muajin më të ftohtë nuk kemi ngrohje në shtëpi dhe ia dalim disi si në shekullin e 19-të”.

Nga SH.A Ngrohtorja Shkup-Veri jozyrtarisht thotë se ngrohja është ndërprerë për shkak të borxheve të papaguara nga Komuna e Çairit, e cila ende ka borxhe të papaguara për shfrytëzimin e ngrohjes për shkollat dhe për këtë arsye nuk mund të paguajnë gazin.

“Nga SH.A Ngrohtorja Shkup-Veri nuk donin të përgjigjen para kamerave cila është arsyeja pse banorët nuk kanë ngrohje qendrore. Jozyrtarisht, sqarojnë se është borxh ndaj një kompanie private nga ku duhet të merret gaz”.

Nga komuna e Çairit konfirmuan se borxhi ndaj SH.A. Ngrohtorja do të shlyhet, por edhe nëse shlyhet nuk do të jetë garanci se banorët do të kenë ngrohje qendrore për shkak se problemi është te vet kompania “Ngrohtorja”.

“Një pjesë e borxhit do të shlyhet javën e ardhshme. Por ne duhet të theksojmë se, edhe nëse paguhet i gjithë borxhi, mjaftojnë vetëm disa ditë për të pasur ngrohje qendrore sepse kompania ka problem me rritjen e çmimit të gazit. Pra, komuna e Çairit nuk është arsyeja kryesore pse nuk ka ngrohje qendrore”, njoftojnë nga Komuna e Çairit.

Ndër vite, disa herë deri më tani, banorët e këtyre vendbanimeve kanë mbetur pa ngrohje qendrore ditë me radhë. Herën e fundit shkyçja ka qenë për faktin se SH.A Ngrohtorja Shkup-Veri nuk ka siguruar garanci për livrimin e gazit natyror./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button