Qytetarët “ndryshojnë” etninë për t’u punësuar, Qeveria pa plan konkret për manipulimet

Mes të drejtës Kushtetuese, diskriminimit etnik dhe manipulimit të sistemit për punësim nëpërmjet balancuesit për përfaqësim të drejtë, institucionet pajtohen që duhet të rregullohet vërtetësia e të dhënave për përkatësinë etnike të kandidatëve, gjatë aplikimeve për punë. Avokati i popullit thotë se vetëdeklarimet e rreme për përkatësinë etnike të qytetarëve gjatë konkurseve për punësim është keqpërdorim i të drejtës së tyre kushtetuese. Ai vazhdon ta shohë si diskriminues në vete edhe vetë balancuesin për përfaqësim të drejtë.

“E kam kundërshtuar dhe edhe sot e kundërshtoj se është kundërkushtetues dhe është diskriminues. Shteti ka obligim për realizim të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në mënyrë të mirfilltë, të hartojë rregulla jodiskriminuese dhe ta rrisë nivelin e kontrollit të atyre që i realizojnë konkurset”, tha Ixhet Memeti, Avokat i popullit.

Sipas Memetit, edhe nëse përkatësia etnike shkruhet në dokumentet e identifikimit të qytetarëve për t’u shmangur keqpërdorimet e këtilla, duhet të krijohen mekanizma që ajo të ndryshojë sipas vullnetit të vetë qytetarit.

“Kjo nuk do të thotë se ajo duhet të bëhet jashtë çdo procedure. Sigurisht se ndryshimi apo deklarimi ndryshe, nëse nuk është real, nuk është shprehje e mirëfilltë e vullnetit apo e bindjes së tij, por është për të arritur ndonjë qëllim tjetër, ndoshta ka mundësi të rregullohet në mënyrë më precize, në procedurë më konkrete që të zvogëlohet hapësira e manipulimeve ose keqpërdorimeve”, u shpreh Ixhet Memeti, Avokat i popullit.

Mbrojtja absolute nga keqpërdorimet eventuale të kësaj të drejte, sipas Memetit, është e pamundur.

“Qeveria nuk ka zgjidhje konkrete për manipulimet e këtilla të sistemit të punësimit. Eventualisht, paralajmëruan rregullimin e problemit përmes ndryshimit të ligjit për nëpunës shtetëror”.

BDI-ja nuk përgjigjet se cili është plani i saj për të mënjanuar mundësinë për vetëdeklarimet e rreme për përkatësinë etnike gjatë punësimit. Por në programin parazgjedhor ka parashikuar:

“Ndalim ligjor i mundësisë për të konkurruar për vend pune në administratë pa certifikatë për përkatësinë etnike të siguruar nga organet kompetente”, qëndron në Programin e BDI-së.

Shteti vite më parë ka humbur gjyqin në Strazburg për shkak se gjykatësit Sllavço Tasevski, i cili ka ndryshuar përkatësinë etnike në regjistrin qendror të gjyqtarëve, i është mohuar e drejta e përfaqësimit të një etnie.
Në vend ka shumë pak institucione që në regjistrat e tyre kanë të dhëna për përkatësinë etnike të qytetarëve. Kjo mundëson që në konkurset për punësim në të cilat sipas balancuesit kërkohen nëpunës shqiptarë, turq, rom etj., të paraqiten qytetarë të përkatësisë etnike maqedonase dhe duke u vetëdeklaruar ndryshe, të fitojnë të drejtën e punësimit. Ky fenomen rrit rrejshëm numrat e përfaqësimit të shqiptarëve dhe komuniteteve pakicë nëpër institucione.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button