“Qyteti i Sigurt” do të vihet në funksion ditën e parë të vitit 2026

“Qyteti i Sigurt” do të vihet në funksion ditën e parë të vitit 2026

Gazetare: Ajnur Bafqari

Nga 1 janari i vitit 2026 do të ndizen kamerat e sigurisë në trafik dhe hyn në fuqi sistemi “Qyteti i Sigurt”. Këtë edhe njëherë e konfirmoi numri një i policisë, Pançe Toshkovski, i cili nënvizoi se me implementimin e këtij sistemi, pritet të shihet një kulturë tjetër në komunikacion dhe jo vetëm në kryeqytet.

“Shpresoj se për një kohë të shkurtër nga implementimi, do të shohim një kulturë ndryshe në komunikacion. Jo vetëm në Shkup, Kumanovë, Tetovë dhe në përgjithësi në të gjithë Maqedoninë”, tha Pançe Toshkovski, Ministër i Punëve të Brendshme.

Ai sqaroi se aktualisht në procedurë qeveritare është një pako me disa ligje që duhet të ndryshohen, dhe të njëjtat pritet që së shpejti të vendosen në procedurë kuvendore.

“Aty bëhet fjalë për një pako ligjesh, 6-7 ligje që do të duhet të ndryshohen, të njëjtat janë në procedurë qeveritare dhe pres që prej procedurës qeveritare të futen në atë të Kuvendit. Por gjithsesi që parakushtet e nevojshme ligjore që t’i vendosim në funksion si pikë fillestare, është 1 janari 2026”, u shpreh Pançe Toshkovski, Ministër i Punëve të Brendshme.

Toshkovski, sqaroi se nga 1 janari i këtij viti, deri në vitin e ardhshëm, policia do të ketë të gjitha parametrat që merren gjatë regjistrimit të automjeteve, që janë parakusht për vendosjen në funksion sistemin. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button