Tenisti spanjoll Rafael Nadal mposhti në finale serbin Novak Gjokovic me 2-1 në sete, duke triumfuar në turneun Masters të Romës, turne i fushave me dhè. Një përballje që zgjati mbi dy orë, me tenistët që luajtën me luhatje, por në fund triumfoi me meritë spanjolli Nadal, që në këtë sipërfaqe është një “mbret”.
Seti i parë ishte i ekuilibruar, me Nadal që fiton në fund me 7-5. Më pas në fushë dominon serbi Gjokovic, që fiton me lehtësi 6-1 setin e dytë dhe barazon 1-1 shifrat e seteve. Gjithsesi, Nadal tregon se në këtë sipërfaqe është i pathyeshëm, duke fituar 6-3 setin e tretë dhe krejt ndeshjen 2-1.
Kjo është hera e 10-të që Nadal triumfon në turneun Masters të Romës, duke konfirmuar se është gati për Grand Slam-in e “Roland Garros”, që nis më 30 maj në Paris.








