Rakitiç bën bujë në Spanjë, shpalos detaje nga zhveshtorja e Barcelonës

Ivan Rakitiç, ka treguar disa detaje nga aventura e tij në klubin blaugrana, që kanë bërë bujë në Spanjë. Mesfushori kroat, 36 vjeç, ishte lojtar i Barçës për gjashtë sezone, nga 2014-2015 deri në 2019-2020, në të cilat ai arriti të fitonte një numër të madh titujsh (një Ligë të Kampionëve, , katër La Liga, një Superkupë Europiane …) Por ai theksoi, në një intervistë të dhënë orët e fundit për “Canal Sur Radio”, se trofetë mund të kishin qenë edhe më të shumtë, por se skuadra nuk ndiente uri dhe ishte e shpërqendruar në aspekte të tjera që nuk kishin lidhje me futbollin.

“Për mua, me gjithë dashurinë dhe respektin për të gjitha skuadrat e tjera, te Barcelona nuk fituam më shumë tituj për shkak të mërzisë dhe të menduarit për gjëra të tjera përveç futbollit”, komentoi Rakitiç.

Futbollisti, i cili tani luan për Hajdukun e Splitit, e kuptoi se dështimet famëkeqe, të dhimbshme dhe tashmë historike në Ligën e Kampioneve në sezonet 2017-18 dhe 2018-19, me Ernesto Valverde në stol, ishin për shkak të besimit të tepruar dhe mungesës së tensionit.

“Ne dështuam në mënyrë spektakolare kundër Romës dhe Liverpulit, por jam i bindur se mërzia dhe të ndjerit shumë superiorë kundrejt rivalëve ndikuan te ne. Nëse nuk jep gjithçka, nuk fiton. Nëse do të kishim qëndruar të uritur, nëse do të kishim qëndruar me këmbë në tokë, do të kishim fituar edhe një ose dy tituj në Ligën e Kampionëve më shumë”, tha mesfushori.

Rakitiç tregoi dhe për problemet që hasi më pas nga largimit te Barcelona për te Sevilja.

“Është e qartë që te Sevilja nuk u kuptova me trajnerin Kike Sançez Flores. Nuk isha dakord me fjalët e tij. Nuk është se e durova apo jo, por nuk isha dakord me gjërat që po ndodhnin. Nuk mendoj për veten, por për grupin dhe Seviljen, nuk isha dakord sesi po bëheshin gjërat. Kam marrë vendimin e duhur”, deklaroi mesfushori veteran.

LEXO EDHE:

Back to top button