Ralf Shumaher flet për të vëllanë: Asgjë nuk është më si më parë

Kur kanë kaluar 10 vjet nga aksidenti tragjik me ski, jeta e Mihael Shumaherit dhe familjes kanë ndryshuar totalisht.

“Asgjë nuk është më si më pare. Më mungon Mihaeli i asaj periudhe. Jeta ndonjëherë nuk është e drejtë me njerëzit. Mihaeli në jetën e tij shpesh kishte patur fat, por më pas erdhi ai aksident dramatik”, janë fjalët e vëllait të tij, Ralf Shumaher, gjithashtu një ish-pilot i Formula 1.

Duke folur për “Bild”, Ralf Shumaher sqaron.

“Falë Zotit, përmes disa mjekimeve moderne është arritur të bëhet diçka e mirë. Pavarësisht kësaj, asgjë nuk është më si më pare,” tha mes tjerash Ralf Shumaher.

Kujtojmë se Mihael Shumaher u aksidentua teksa bënte ski në Francë. Ai pësoi një goditje të fortë në kokë dhe 7 herë kampioni i botës në Formula 1 kreu dy operacione në kokë.

“Mund të them vetëm se aksidenti i tij përfaqëson një moment të keq dhe drastik edhe për mua. Kjo që ndodhi ndryshoi tërësisht familjen tonë. Ishim të pafat, madje edhe Mik, që asokohe ishte një fëmijë i vogël”, tha Ralf Shumaher.

Duke folur për marrëdhënien mes tyre, Ralfi tregoi dallimet.

“Më dha gjithë përvojën e tij. Kisha mundësinë të mësoja nga më i miri. Kur ishim të vegjël flinim shpesh në të njëjtën dhomë. Mihaelli ka qenë gjithnjë pranë meje, ndaj më mungon shumë,” tha në fund Ralf Shumaheri.

LEXO EDHE:

Back to top button