Rama për takimin me Kurtin: Edhe hasmit i hapet dera kur vjen
Rama për takimin me Kurtin: Edhe hasmit i hapet dera kur vjen

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është shprehur optimist se homologu i tij në Kosovë do ta pres në takim sot.
Ai në konferencën e përbashkët me kryeministrin e EMV-së, Dimitar Kovaçevski tha se shpreson se kryeministri i Koosvës Albin Kurti nuk e ka harruar kanunin se kur vjen mysafiri në shtëpi, qoftë edhe ai “hasëm” duhet t’i hapet dera.
“Unë kam akoma shpresë se Albini nuk e ka harruar kanunin se kur vjen në shtëpi edhe hasmit i hapet dera, është e ndaluar të nxjerrësh deri kur ai të mbaroj fjalën”, tha ai.
I pyetur për Ballkanin e Hapur, Rama tha se edhe njëmijë herë të kthehej prapa do ta bënte të njëjtin.
“Ballkanin e Hapur një mijë herë të kthehesha prapa, njëmijë herë do ta bëja. Ballkani i Hapur nuk është një nismë përjashtuese. Ballkani i Hapur është një nga 72 iniciativat që ka ky rajon, për të cilat ju ndoshta nuk keni dëgjuar fare, sikur unë vet kur e kam dëgju këtë jam habitur. Çfarë e keqe i ka ardhur nga Ballkani i Hapur rajonit, përveç të mirave. Cilat janë ato, merrni shikoni shifrat e tregtisë midis vendeve”, shtoi Rama.
Rama ndonëse i pyetur refuzoi të flas për tensionet e fundit Kosovë-Serbi, derisa tha se për to do të ketë qëndrim pasditën e sotme në Kosovë.
“Për çështjen e Kosovës do flas në Kosovë”, tha Rama.