“Raporti”, opozita akuzon pushtetin për dështime/ Filipçe: Integrimi, gjithmonë e më larg
“Raporti”, opozita akuzon pushtetin për dështime/ Filipçe: Integrimi, gjithmonë e më larg

Gazetare: Fatlume Dervishi
Opozita maqedonase kritikon drejtpërdrejt pushtetin për prishjen e pozitave ndërkombëtare të shtetit, pas raportit të fundit të miratuar në Parlamentin Evropian. Kreu i LSDM-së Venko Filipçe thotë se qeveria e kaluar kishte siguruar çështjen e gjuhës dhe identitetit në BE por se qeveria aktuale dëmton pozitat për interesa të sajat politike.
“Vendimi i Parlamentit Evropian dhe miratimi i raportit janë rezultat i heqjes dorë nga pozitat e qarta strategjike të shtetit dhe keqpërdorimit të gjuhës dhe çështjeve të identitetit nga ana e qeverisë për fushatën e tyre politike. Është gjithashtu rezultat direkt i improvizimeve diplomatike dhe moskokëçarje të plotë të qeverisë, për ruajtjen e pozitës ndërkombëtare të shtetit. Gjuha maqedonase është e sigurt, identiteti është i sigurt , por integrimi i vendit në BE është gjithmonë e më i largët për shkak të politikave dhe zgjedhjeve të kësaj qeverie”, deklaroi Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së.
Pushteti më herët kishte bërë thirrje për unitet politik në vend, sa i takon çështjes së identitetit. Kryeministri tani nuk beson që kjo do të ndodhë, akuzon LSDM-në për pranimin e të gjitha kushteve që kanë dëmtuar identitetin.
“Njerëzit që shitën gjithçka që mund të shitej në të kaluarën dhe që kishte të bënte me identitetin, duke filluar nga flamuri dhe duke përfunduar te emri mendoj se nuk kanë aspak kredibilitet të gjykojnë dhe të vlerësojnë. Nuk pres mençuri prej tyre. Ata janë të bindur se nëse luajnë me atë muzikë që ju jepet, do të ketë inxhiniering prej jashtë dhe ai inxhiniering do t’i sjell përsëri në qeveri. Unë nuk mendoj se kjo do të ndodhë. Është një vepër pa precedent. Është gjithçka vetëm jo vlerë evropiane dhe unë vërtetë nuk e di se si eurodeputetët që dje votuan për fshirjen e identitetit dhe gjuhës maqedonase do të flejnë të qetë”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Për unitet të brendshëm kishte bërë thirrje edhe ZNAM. Edhe kreu i saj Maksim Dimitrievski akuzon pushtetin e kaluar kurse thotë se nuk do të heqin dorë nga mbrojtja e identitetit.
“Ne qëndrojmë në mbrojtje të identitetit jo sepse është lehtë por sepse është vendimi i duhur. Populli maqedonas nuk kërkon më shumë se të tjerët por nuk pranon të jetë më i vogël se të tjerët. Prandaj beteja jonë nuk është kundër Evropës por për Evropë me popuj të barabartë. Lufta jonë nuk është kundër integrimit, por kundër asimilimit. Beteja jonë nuk është të jemi të dëgjueshëm, por të mbesim vetvetja”, u shpreh Maksim Dimitrievski, Kryetar i ZNAM.
Parlamenti Evropian një ditë më parë, me shumicë votash nga eurodeputetët hoqi termet gjuhë dhe identitet maqedonas nga raporti i progresit për Maqedoninë, edhe pse ai kishte kaluar në Komitetin për Punë të Jashtme. /Alsat.mk