Raportohet se Biden do ta shpallë shpejt kandidaturën për zgjedhjet e ardhshme

Raportohet se Biden do ta shpallë shpejt kandidaturën për zgjedhjet e ardhshme

Presidenti amerikan, Joe Biden, do të mund të shpallë shumë shpejt kandidaturën e tij për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, kanë raportuar disa media amerikane.

Disa ndihmës të paidentifikuar presidentit, u kanë thënë gazetave amerikane, Washington Post dhe New York Times, se Biden mund të njoftojë për diçka të tillë, brenda ditësh.

Si shenjë tjetër se ka plane për fushatë, Biden i ka ftuar donatorët e fushatave në Uashington, në fund të javës së ardhshme, kanë raportuar mediat.

Demokrati Biden e ka përsëritur disa herë se synon një mandat të dytë si president.

Së fundi, në margjina të vizitës së tij në Irlandë, kur është pyetur për datën e shpalljes së kandidaturës, ai ka thënë se kjo “do të ndodhë shpejt”.

Duke marrë parasysh moshën, edhe në mesin e demokratëve ka rezerva nëse ai është kandidati më i përshtatshëm.

Deri në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, më 2024, Biden do të jetë 81-vjeçar, ndërsa nëse fiton mandatin e dytë, atë do ta nisë si 82-vjeçar.

Mirëpo, nëse Biden e shpall zyrtarisht kandidaturën, ai mund të përballet me garë të lehtë në mesin e demokratëve, për ta fituar nominimin e partisë.

Edhe ish-presidenti amerikan, Donald Trump, e ka shpallur kandidaturën për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, pavarësisht se ai është duke u përballur me disa raste civile dhe penale nëpër gjykata.

Republikani 76-vjeçar, është ish-presidenti i parë amerikan ndaj të cilit rëndon një padi penale, nën dyshimet se e ka blerë heshtjen e një ylli të pornografisë, pak para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Ai është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës.

Trump ka humbur në garën kundër Bidenit, në zgjedhjet e vitit 2020, dhe më pas ka thënë se zgjedhjet janë manipuluar.

 

LEXO EDHE:

Back to top button