Rastet aktive me Koronavirus në minimum, rritet numri i të vaksinuarve

Me shifrat e fundit 45,7 për qind e popullatës mbi 70 vjeç janë marrë të paktën një dozë vaksinë, 38,8 për qind e popullatës mbi 65 vjeç është vaksinuar me të paktën një dozë.
“Sa më shpejt dhe sa më shumë qytetarë vaksinohen aq më shpejt do t’i festojmë rastet për gëzim, ditëlindjet e të dashurve dhe dasmat e të afërmve. Vaksinimi rikthen lirinë t’i përqafojmë të afërmit tanë, familjarët, gjyshërit”, thotë Filipçe.
Pardje përfundoi Samiti botëror për shëndetësi me premtim nga kompanitë farmaceutike për dërgesën e më shumë se 1,3 miliard dozave vaksina kundër Kovid-19 këtë vit në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Kompania farmaceutike amerikane Fajzer dhe kompania gjermane Biontek premtuan një miliard doza vaksina, ndërsa Xhonson dhe Xhonson – 200 milion doza dhe Moderna 100 milion doza vaksina kundër Kovid-19 për shtetet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Vaksinat për vendet e varfëra do të jenë sipas çmimit të furnizimit, ndërsa për shtetet me të ardhura të mesme do të jenë me gjysmë çmimi.
Fajzer dhe Biontek premtuan edhe një miliard vaksina shtesë vitin e ardhshëm, ndërsa vendet anëtare të BE-së paralajmëruan 100 milion doza shtesë gjatë vitit.
Kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen theksoi se një numër i madh i dërgesave evropiane do të jenë përmes programit të Kombeve të Bashkuara KOVAKS.
Sipas të dhënave të Institutit për Shëndet Publik gjatë ditës së djeshme tek ne ishin regjistruar 84 pacientë të shëruar. Dje ishin regjistruar 51 raste të reja me Kovid-19 në: Shkup -28, Tetovë-5, Manastir dhe Vinicë – nga 3, Prilep, Koçan dhe Kërçovë – nga 2, Kumanovë, Veles, Gostivar, Kavadar, Negotinë dhe Makedonska Kamenicë – nga 1, ndërsa ishin regjistruar 16 persona të vdekur prej të cilëve shtatë nga Shkupi.
Deri tani në vend janë bërë gjtihsej 773.531 teste për Kovid-19. Numri i përgjithshëm i të diagnostikuar me Kovid prej fillimit të epidemisë është 155.028, i të shëruarve është 146.800, i të vdekurve 5.296, ndërsa numri i rasteve aktive është 2.932.
Në repartet infektive në Shkup dhe në spitalet në qytetet e tjera trajtohen 340 pacientë me Kovid-19. Ka rreth 559 shtretër të lirë spitalorë në qendrat për kovid, ndërsa për shkak të numrit të zvogëluar të të sëmurëve, spitalet mbyllën një pjesë të kapaciteteve për pacientët me kovid.