Rastet për Pelisterin, por 3 pikët shkojnë në konton e Bashkimit
Skuadra e Bashkimit, para publikut të vet në Kumanovë, arriti të mposhtë Pelisterin me rezultat minimal 1:0.
Pjesa e parë e ndeshjes nuk ofroi lojë shumë emocionuese, duke shënuar vetëm dy situata serioze. Fillimisht, Bulatoviq rrezikoi portën vendase, por pa sukses. Nga ana tjetër, Bashkimi shfrytëzoi aksionin e parë konkret për të kaluar në epërsi. Në minutën e 38-të, pas një goditjeje këndi të ekzekutuar nga kapiteni Alimi, mbrojtësi Sumer Hasan u hodh më së larti në zonë dhe me një goditje të saktë me kokë realizoi për 1:0.
Në pjesën e dytë tempoja e lojës u rrit, por shiu i rrëmbyeshëm i vështirësoi kushtet në terren. Pelisteri u hodh në ofenzivë, ku i pari që rrezikoi ishte Vildan Kerim, goditja e të cilit nga një pozicion i mirë përfundoi mbi portë. Më pas pasuan tentativat e Petkovskit dhe Spirovskit nga distanca, por portieri vendas, Jashar, ishte në lartësinë e detyrës.
Rastin më të mirë për barazim skuadra e Pelisterit e humbi në minutën e 81-të. Vildan Kerim dërgoi një goditje të fuqishme nga 18 metra, mposhti portierin Jashar, por për fatin e kumanovarëve, topa u ndal nga traversa.
Deri në fund të takimit rezultati mbeti i pandryshuar, dhe Bashkimi arriti t’i mbrojë me sukses tri pikët. Me këtë triumf, Bashkimi tani numëron 26 pikë dhe mbetet në pozitën e pestë në tabelë. Nga ana tjetër, Pelisteri me gjithsej 19 pikë mbetet në zonën e rrezikshme për rënie nga liga.
Bashkimi në xhiron e radhës e pret një gostitje e vështirë kundër Vardarit në Shkup. Pelisteri do të luajë si vendas kundër ekipit të Struga Trim Lum.







