Rasti Alsat, Osmani: Lëshime dhe dobësi institucionale
Rasti Alsat, Osmani: Lëshime dhe dobësi institucionale

Gazetar: Adrian Kerimi
Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani pranon se lëshimet dhe dobësitë institucionale kanë sjellë të drejtën e pronësisë në këtë situatë në Maqedoni të Veriut, kontest në të cilin është përfshirë edhe Televizioni Alsat dhe Kompania VeVe Grup. Osmani pranon se problemet e tilla janë mund të jenë një nga arsyet pse vendi nuk është gati për BE.
“Sigurisht që ka lëshime dhe dobësi në këtë shoqëri. Nuk themi asnjëherë se jemi gati që sot të jemi pjesë e BE-së dhe kjo pikërisht për shkak të këtyre lëshimeve që ju i potenconi për pronën”, deklaroi Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.
Alsat çështjen e ka ngritur edhe në organet tjera të pushtetit qendror, por deri sot nuk ka pasur reagime konkrete. Heshtje edhe në Ministrinë e Financave me pëlqimin e të cilës është mundësuar shitja publike e pronës, vendim ky i hedhur poshtë nga Gjykata Civile por i kthyer në fuqi me vendim të Gjykatës së Apelit.
Mbrëmë në emisionin 360 gradë u shqyrtua në hollësi se si ka ardhur deri tek kontestimi i të drejtës së pronësisë falë mungesës së transparencës institucionale, ndërsa pritet që në krah për betejën e televizionit më të madh kombëtarë në gjuhën shqipe të kyçen edhe mediat tjera kombëtare.
Alsat ka adresuar shqetësimin e tij edhe deri tek përfaqësitë diplomatike në vend ku është potencuar shqetësimi për presion mbi punën e medias, kontestimin e të drejtës së pronësisë dhe janë adresuar dyshimet se vendimi i gjykatës për heqjen e masës së përkohshme është sjellë si pasojë e ndikimeve politike. /Alsat.mk