Reagime politike për zgjedhjet në UT, Kasami këron përsëritjen e zgjedhjeve
Reagime politike për zgjedhjet në UT, Kasami këron përsëritjen e zgjedhjeve

Gazetar: Vjollca Aliti
Lëvizja Besa, Aleanca për Shqiptarët si dhe grupi i zjarrit me reagime për zgjedhjen e rektorit të ri të Universitetit të Tetovës, pas tërheqjes së tre kandidatëve nga gara për udhëheqës të këtij institucioni. Bilall Kasami kërkon ri përsëritjen e procesit zgjedhor duke thënë se ndodhi të tilla nuk I ngjajnë Universitetit të Tetovës i cili është njëri ndër projektet më madhore të shqiptarëve të Maqedonisë e që si I tillë duhet të trajtohet.
“ Më lejoni që të bëj thirrje te të gjithë të përfshirët në këtë rast dhe administrate e UT-së tek ministria e Arsimit, tek inspektorati për arsim që të bëjnë të pamundurën që procesi zgjedhor të ri përsëritet dhe të plotësojnë të gjitha ata kushte të cilat kërkohen në bazë të rregullativës ligjore që të ketë zgjedhje të lira, fer dhe demokratike…Do kishim dashur që edhe UT të çlirohet nga gjithë ata të cilët sot e shfrytëzojnë si një institucion për punësime familjare për shërbime partiake”, tha Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes “Besa”.
Ndërkohë grupi i zjarrit kërkon anulimin e konkursit për zgjedhjen e rektorit të Universitetit të Tetovës. I kontaktuar nga ALSAT, Izet Mexhiti tha se kjo që po ndodh në UT, është mjaft, dhe i duhet thënë stop shpërdorimeve dhe ndikimeve të mundshme politike, përfshi edhe shkeljet e ligjit dhe ato statutare.
“Konkursi nuk ka më vlefshmëri juridike, veçanërisht pas tërheqjes dhe akuzave dhe dyshimeve të bazuara të numëruara nga ana e tre kandidatëve, të cilët njëzëri u tërhoqën mbrëmë nga gara për rektor. Komisioni për Zgjedhjen e rektorit dhe të gjithë trupat e përmendur për shkelje ligjore e statutare, duhet të ri formatohen, dhe Universitetit t’i jepet mundësia të gëzojë të drejtën e ushtrimit demokratik të ligjit dhe zgjedhjes së rektorit të ardhshëm”, thanë nga Fraksioni i BDI-së.
Aleanca për Shqiptarët në reagimin e saj ka thënë se mbrojtja e Universitetit të Tetovës nga çfarë do lloj keqpërdorimi është obligim intelektual dhe njerëzor i yni.
“E kemi obligim intelektual, por edhe njerëzor që në tempullin e dijes, i cili është pasuria më e madhe e shqiptarëve, të identifikojmë një figurë që ka kredibilitet dhe kapacitet menaxhues. Tashmë kur kemi sasi duhet atë ta shndërrojmë në cilësi”, thonë nga Aleanca.