Reagime të ashpra në lidhje me faljen e presidentes, opozita kërkon llogari edhe nga Ministria e Drejtësisë
Reagime të ashpra në lidhje me faljen e presidentes, opozita kërkon llogari edhe nga Ministria e Drejtësisë

Heshtje nga Vila Vodno për reagimet e ashpra në lidhje me faljet e presidentes Gordana Siljanovska Davkova, e cila për nder të festës së 23 Tetorit liroi nga burgu persona me dosje kriminale. Sipas opozitës, faljet zbuluan lidhjen e ngushtë mes VMRO-DPMNE-së në pushtet, partisë në koalicion ZNAM që udhëheqë me Ministrinë e Drejtësisë dhe nëntokën.
“Ministri i Drejtësisë nga Lëvizja ZNAM, patjetër të përgjigjen ndaj një pyetje të qartë. A ka dhënë Ministria e Drejtësisë mendim pozitiv për faljen e kriminelëve dhe narko bosëve?”, shprehet Bogdanka Kuzeska, LSDM.
Për siç e quajnë skandalin me faljet, edhe partia E Majta kërkon përgjegjësi nga ministri i Drejtësisë Igor Filkov. E pyetur nga Alsat në lidhje me akuzat e partive, Ministria e Drejtësisë kërkon që procesi të mos keqpërdoret për pikë politike. Ministria akuzon opozitën për veprim qyqar, ndërkaq nuk përgjigjen në mënyrë precize nëse kanë dhënë mendim pozitiv për të gjithë dhjetë personat e falur nga presidentja Siljanovska.
“Komisioni për Falje para vetes patjetër duhet t’i ketë faktet për veprën në bazë të të cilës është miratuar vendimi gjykues, por edhe dokumentet shoqëruese pa u theksuar emri, dhe vendimin do të duhej ta marrë në mënyrë profesionale dhe me kredibilitetin personal dhe profesional, pa ndërhyrje të jashtme”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.
Për faljen, sot ka reaguar edhe Bilall Kasami nga Lëvizja BESA. Ai porositi që komisioni për falje të jetë më seriozë në punën e tyre.
“Unë besoj se presidentja do ta marrë seriozisht këtë çështje dhe do të marrë masa adekuate, nëse konfirmohen informatat e opinionit që disa nga ata persona, janë me precedent kriminal dhe nuk do të duhej të jenë në listën për falje”, deklaroi Bilall Kasami, Lëvizja BESA.
Ndryshe, presidentja Siljanovska Davkova ka falur 10 persona më 22 tetor. Në mesin e tyre u gjet Shenoll Masllani, i cili para pesë vitesh u arrestua për drogë, sulm ndaj një policit dhe armatim. Presidentja, e ka falur edhe Akif Ravmanovskin nga Haraçina, i cili është pjesë e grupit kriminal “Baron”, ndërkaq ka qenë i dënuar për armëmbajtje pa leje.
Ndonëse fjalën përfundimtare e ka presidentja, Siljanovska Davkova dje justifikohej se vendimi ka qenë i Komisionit, i cili është i përbërë prej ekspertëve.
“Në rastin e parë, nuk e di si e kishte emrin, të jem e sinqertë. Vepra, aktgjykimi ishte një vit e tre muaj dhe vepra ka të bëjë me posedimin e paautorizuar të armës dhe pesë plumbave. Kjo është vepra. Sipas të gjitha gjasave janë udhëhequr nga kjo. Po e di se kush është ai personalitet, por unë flas për punën e komisionit. Po, personalitetet me të vërtetë janë interesante, në kuptimin negativ të fjalës. Kjo është fakt. Tani e shoh atë”, u shpreh Gordana Siljanovska Davkova, presidente. /Alsat.mk