Reagime të shumta në Itali pas lirimit të “kasapit” në “Cosa Nostra”

Lirimi nga burgu i një mafiozi famëkeq për 100 vrasje, përfshirë vrasjen e prokurorit Giovanni Falcone, ka trazuar ndjeshëm opinionin publik në Itali.

Giovanni Brusca, i njohur si “Kasapi i njerëzve” u lirua së fundmi pas 25 vitesh burg dhe do të vazhdojë lirisht jetën nën programin shtetëror italian të mbrojtjes së dëshmitarëve, pavarësisht se ka pranuar se është përfshirë në 100 vrasje.

Dënimi me vetëm 25 vite burg dhe lirimi nën mbrojtje të Bruscas, tashmë 64-vjeçar, është bërë prej faktit se në vitin 1996, pasi u arrestua, pranoi të dëshmonte kundër rrjetit mafioz të “Cosa Nostra”-s drejtuar nga famëkeqi Salvatore “Totò” Riina, i njohur si “Bisha”. Ai ndihmoi në zbardhjen e një serie vrasjesh prej vitit 1980 e deri në mesin e viteve 90-të.

Megjithatë kjo nuk e ka lehtësuar atë nga pesha e krimeve që ka kryer.

Brusca ishte personi që në vitin 1992 shtypi telekomandën e gjysmëtoni tritol që ishte vendosur poshtë rrugës ku do të kalonte prokurori anti-mafia Giovanni Falcone dhe eskorta e tij. Si rezultat bashkë me Falconen humbën jetën bashkëshortja dhe tre truproja.

Dy muaj më vonë Brusca ishte gjithashtu pjesë e grupit që organizoi ekzekutimin me tritol ndaj kolegut të Falcones, Paolo Borselinos. Vrasjet e dy prokurorëve më aktivë në luftën ndaj mafies përkujtohen edhe ditët e sotme në Itali si momenti i kthesës pasi shoqëria dhe shteti përshkallëzuan luftën kundër organizatave mafioze.

Përveç dy ekzekutimet e prokurorëve, Brusca ka pranuar vrasjen e 11-vjeçarit Giuseppe Di Matteos në janar 1996. Djaloshi, i biri i një ish-mafiozi i cili ishte penduar dhe kthyer në dëshmitar, u mor peng për kërcënim. Më pas ai u torturua derisa u vra. Brusca dhe bashkëpunëtorët e tij i tretën trupin në acid.

Kjo ngjarje tronditi rëndë opinionin publik, që kërkoi për Bruscan dënimin me burgim të përjetshëm.

Pas lirimit nga burgu, 25 vite më pas, të shumtë kanë qenë ata që kanë deklaruar se “kjo nuk është drejtësi”.

Tina Montinaro, bashkëshortja e një prej truprojave të Falcones që u vra në vitin 1992, i tha gazetës italiane “La Repubblica” se ndihej e tradhtuar nga shteti.

“Njeriu që shkatërroi familjen time është i lirë… shteti s’është me ne,” – tha Montinaro.

Ngjashëm edhe motra e Falcones ndau të njëjtin opinion. Maria Falcone tha për mediat italiane se ndihej tmerrësisht e trishtuar nga ky lajm.

Por reagime të tilla kanë ardhur edhe nga politikanët. Udhëheqësi i të djathtës “Lega Nord”, Matteo Salvini shkroi në Twitter se “kjo nuk është drejtësia që meritojnë italianët”.

Në një intervistë radiofonike lideri i qendrës së majtë, Partisë Demokratike, Enrico Letta, tha se ky ishte “një grusht që lë pa frymë”.

 

LEXO EDHE:

Back to top button