Real Madridi afër zyrtarizimit të blerjes së talentit të madh të Atletiko Madridit
Real Madridi është pranë zyrtarizimit të transferimit të një prej talenteve më premtuese të akademisë së Atletico Madridit, qendërmbrojtësit 18-vjeçar Aimar Garsia. Mbrojtësi shtatlartë, pritet të bashkohet me projektin e klubit madrilen pas përfundimit të kontratës së tij në muajin qershor, çka ka lehtësuar ndjeshëm procesin e negociatave Burime pranë klubit bëjnë të ditur se drejtuesit e “Los Blancos” kanë ndjekur të gjitha procedurat ligjore, duke njoftuar zyrtarisht palën tjetër për qëllimin e negociatave me lojtarin.
Departamenti sportiv i klubit nga Valdebebas kishte kohë që monitoronte zhvillimin e mbrojtësit, i cili spikat për fizikun imponues dhe aftësinë për të ndërtuar lojën nga prapavija me qetësi dhe saktësi. Aimar Garsia, i gjatë 192 centimetra, konsiderohet një mbrojtës modern, me prezencë të fortë në duelet ajrore dhe tokësore, si dhe me inteligjencë taktike mbi mesataren për moshën e tij.
Ai më parë kishte qenë pjesë e strukturave të Real Madridit në fëmijëri, por dëmtimet e detyruan të kërkonte një rrugë tjetër zhvillimi, duke kaluar edhe nga Getafe përpara se të konsolidohej te rivali i qytetit. Nuk përjashtohet mundësia që lojtari të nisë aventurën me ekipin Kastilja, me perspektivën për t’u afruar gradualisht me futbollin profesionist.
Për Atletico Madrid, humbja e një lojtari të gjeneratës 2007 pa përfitim financiar përbën një goditje sportive dhe strategjike, ndërsa për Real Madridin konsiderohet një investim i menduar për dekadën e ardhshme.







