Real Madridi me mungesa para “El Clasico”-s, do të mungojë Rodrigo

Real Madridi mund t’i ketë dy mungesa të mëdha në ndeshjen e kësaj fundjave ndaj rivalit të urryer, Barcelonës, në ndeshjen e njohur si “El Clasico”. Përballja “El Clasico” e parë e edicionit 2024/25 do të zhvillohet këtë të shtunë, me “Los Blankos” që e presin Barcelonën në ‘Santiago Bernabeu’ nga ora 21:00. Megjithatë, trajneri Karlo Ançeloti mund të ketë kokëdhimbje para ndeshjes derbi, shkaku i lëndimeve.
Përveç David Alaba, Dani Karvahal dhe sipas të gjitha gjasave Brahim Diaz, Rodrigo Goes do të mungojë ndaj Barcelonës. Sulmuesi brazilian pësoi një dëmtim të kofshës kundër Borussia Dortmund, duke u larguar në pesë minutat e fundit për t’i lënë vend Aurelien Tçouamenit.
Sipas mediumit “AS”, testet e para kanë konfirmuar frikën e tyre për një dëmtim të kofshës për Rodrigo, dhe ai është përjashtuar nga përplasja e madhe ndaj Barcelonës. Megjithatë, mungesa tjetër e madhe e Real Madridit në këtë ndeshje mund të jetë portieri belg, Tibo Kurtua, i cili gjithashtu ka pësuar një dëmtim ndaj Dortmundit.
“Pas analizave të kryera te lojtari ynë Tibo Kurtua nga Shërbimet Mjekësore të Real Madridit, ai është diagnostikuar me një dëmtim në aduktor në këmbën e majtë. Progresi i tij do të monitorohet”, thuhet në njoftimin e “Los Blankos”.