Reali e do me çdo kusht mesfushorin e PSZH-së, gati është oferta prej 100 milion eurosh
Real Madrid ka shtuar interesin për mesfushorin portugez Vitinja, që aktualisht luan për Paris Sen Zhermenin, dhe po konsideron një ofertë që mund të arrijë deri në 100 milionë euro, sipas raportimeve të “Cadena SER”. Lojtari ka një marrëveshje verbale me PSZH-në, e cila parashikon largimin e tij këtë verë vetëm nëse oferta tejkalon këtë shumë.
Kontrata aktuale e Vitinjas është e vlefshme deri në vitin 2029, duke e bërë transferimin e tij një nga opsionet më të shtrenjta në merkato.

Raportet gjithashtu theksojnë përmirësimin e marrëdhënieve midis Real Madridit dhe PSZH-së. Presidentët Florentino Perez dhe Naser Al-Khelaifi thuhet se kanë zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre të mëparshme, duke krijuar kushte më të favorshme për një marrëveshje potenciale. Vitinja, i cili ka fituar gjithçka me PSZH-në, është gjithashtu i hapur për një sfidë të re.
Kalimi te “Los Blankos”, i mbushur me yje dhe i njohur për projektet e mëdha sportive, mund të jetë hapi i radhës në karrierën e tij. Megjithatë, për momentin Real Madridi po qëndron me profil të ulët dhe nuk ka ndërmend të bëjë lëvizje zyrtare derisa PSZH të jetë ende pjesëmarrëse në Ligën e Kampionëve. Qëllimi është të shmangin trazirat brenda klubit francez dhe të ruajnë armëpushimin e sapokrijuar midis dy klubeve prestigjioze evropiane.








