Reçi pa certifikatë sigurie, s’jep arsye për shkarkimin e dy avokatëve

Reçi pa certifikatë sigurie, s’jep arsye për shkarkimin e dy avokatëve

Gazetar: Adrian Kerimi

Qeveria ka shkarkuar nga funksioni dy avokatë të shtetit, njëri nga njësia rajonale në Shkup, Jane Jankullovski dhe tjetri nga njësia rajonale në Strugë, Mirko Veljanovski. Arsyetim i dëshmuar ligjor nuk është dhënë, ndërsa Jankullovskit dhe Veljanovskit nuk i është dhënë as mundësia e prononcimit për propozim shkarkimin ashtu siç e parashikon ligji për mbrojtjen juridike shtetërore. Jankullovski në një prononcim për Alsat tha se për vendimin ka marr vesh nga mediat, por do të prononcohet zyrtarisht pasi ta pranon atë në formë të shkruar.

“Nuk e di për çfarë arsye jam shkarkuar. Për vendimin mësova mbrëmë. Pas 20 viteve karrierë dhe përfaqësim të lëndëve të ndryshme në interes të shtetit, u gjenda në këtë situatë. Pasi ta pranoj vendimin në formë të shkruar do të prononcohem zyrtarisht”, tha Jane Jankullovski, Avokat i shtetit.

Kërkuam qëndrimin e Avokatit të Shtetit, Agron Reçi për të na treguar mbi arsyet për të cilat është propozuar shkarkimi i tyre, por deri në këto momente nuk morëm asnjë përgjigje. Jo zyrtarisht mësohet se në seancë të Qeverisë, shkarkimi i tyre është bërë mbi bazën e punës jo profesionale dhe të pakujdesshme, ashtu siç është e parashikuar në Ligjin për Avokatin e Shtetit, por mbetet e paqartë se si Qeveria ka pranuar një propozim të tillë, pa marrë në konsideratë bazën për shkarkim dhe dëshmitë e ofruara për to. Edhe më skandaloz këtë vendim e bën fakti se Reçi së fundi është refuzuar nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare për të pasur certifikatë sigurie, që referuar në dispozitat e informacioneve konfidenciale, Reçin e bën të padenjët dhe jo legjitim për të kryer funksionin e Avokatit të Shtetit, pozitë në të cilën erdhi në prill të vitit 2023. Informacionin për shkarkimin e tyre e ka konfirmuar edhe ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga i cili ka dhënë vetëm arsyet ligjore për shkarkimin e tyre duke theksuar se vendimi i Qeverisë bazohet në propozimin e Avokatit të Shtetit dhe delegimin e shkarkimit në Qeveri përmes dikasterit të Drejtësisë. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button