Reformat/ Filipçe fajëson Qeverinë për ngecje
Reformat/ Filipçe fajëson Qeverinë për ngecje

Gazetare: Fatlume Dervishi
Kreu i LSDM-së Venko Filipçe fajëson pushtetin për mosrealizimin e agjendës së reformave për të cilën shteti është zotuar para BE-së.
Ai gjithashtu thotë se raporti i miratuar për vendin në Parlamentin Evropian ditë më parë, ishte më i keqi i dekadës së fundit.
“Pikërisht për shkak të paaftësisë së qeverisë më shumë se 43 milion euro janë të pashfrytëzuara dhe njëkohësisht qeveria nuk e miraton dhe as nuk e vendos në funksion avansin prej 52 milion euro nga plani për rritje i BE-së. Ministria e Ekonomisë zero reforma, Ministria e Drejtësisë zero ligje, Ministria e Energjetikës zero projekte, një ligj që në fund u bë në kundërshtim me rekomandimet e BE-së, Ministria e Dixhitalizimit po ashtu. Këto madje janë ligje që janë përgatitur në kohën tonë prandaj arritën të zbatojnë diçka. Është veçanërisht e rrezikshme që përfaqësues të qeverisë mbështesin ide dhe koncepte që janë praktikisht antievropiane. Këtë e thekson raporti përmes formulimit se qeveria mbështet të ashtuquajturën botën serbe kurse BE-ja dënon takimet në të cilat thuren plane për vendosjen e sferave të ndikimit, ku minohet sovraniteti i vendeve të tjera dhe stabiliteti i rajonit” , tha Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së.
Filipçe thotë se ka lobuar tek eurodeputetët gjatë qëndrimit në Berlin që të mos preket përkufizimi për gjuhën dhe identitetin maqedonas. Sipas tij, qeveria nuk bën asgjë të dukshme në këtë drejtim.
“Unë lobova personalisht në emër të partisë por edhe në emër të shtetit. Më vjen keq që nuk po e shoh se këtë e bën qeveria ose VMRO-DPMNE-ja që të mbetet definicioni neutral për gjuhën maqedonase. Vlerësoj se me këtë mungesë aktiviteti dhe me gjithçka që qeveria bën, pozita jonë sa u takon negociatave, përkeqësohet. Të gjithë konstatojnë një gjë se shtesat e tilla për gjuhën maqedonase vijnë si rezultat i provokimeve që vinë nga qeveria jonë. Ky është përkeqësim serioz i pozitës tonë në BE” , u shpreh Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së.
Kreu i opozitës i bën thirrje qeverisë që bashkë të lobojnë që një amendament që përkufizon ndryshe gjuhën dhe identitetin maqedonas të mos miratohet as në seancë plenare të Parlamentit Evropian. / Alsat.mk