Sipas raportimeve të “Gazzetta dello Sport”, portugezi Rafael Leao dëshiron ta zgjasë aventurën e tij te “kuqezinjtë”, duke refuzuar kështu interesimin e Çellsit dhe më pas të Real Madridit.
Distanca mes palëve është minimale, mes 6.5 milionë eurove, plus bonuseve që ofron klubi, dhe 7 milionëve të kërkuara nga lojtari. Nyja më e ndërlikuar ka të bëjë me mosmarrëveshjen me Sportingun e Lisbonës, lidhur me “arratisjen” e Leaos te Lille në vitin 2018 dhe dëmshpërblimin që duhet të paguajë për këtë shkelje të rregulloreve.
Një çështje për të cilën lojtari dhe klubi francez duhet t’i paguajnë Sportingut rreth 22 milionë euro. Ka një hapje nga ana e Milanit edhe në këtë kuptim, prandaj, pasi të zgjidhet çështja me Sportingun, çështja e rinovimit duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur.
Vizitë surprizë dje në “Casa Milan”, duke pasur parasysh edhe ditën e pushimit që Stefano Pioli i kishte dhënë skuadrës. Rafa Leao, në shoqërinë e babait-agjent të tij është paraqitur në selinë e klubit kuqezi, por jo në lidhje me rinovimin e shumëpërfolur të kontratës me klubin milanez.
Pas dygolëshit kundër Leçes, portugezi vendosi të bëjë “pazar”, duke marrë në shtëpi një numër të madh fanellash zyrtare të Milanit. Me pak fjalë, “pazar”, një gjest që “Sky” e interpreton si shenjën e njëqindtë të marrëdhënieve të shkëlqyera që vazhdojnë të ekzistojnë mes klubit “kuqezi” dhe yllit portugez.








