“Regjistrimi” përplas partitë politike

Regjistrimi i popullsisë ringjalli kundërshtimet mes partive parlamentare. Propozimi-ligji për regjistrimin e popullsisë dhe amvisërive në vitin 2021, i gjendur para deputetëve në lexim të parë, sipas zv/ministrit të Drejtësisë, Agim Nuhiu, siguron proces transparent dhe profesional.

Ligji të cilin e propozojmë bazohet në parimin e procedurës transparente për regjistrim, me parimin e neutralitetit dhe objektivitetit gjatë të gjitha fazave të regjistrimit. Ne jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e regjistrimit të popullsisë, amvisërive dhe banesave për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut të cilën momentalisht gjenden në shtetet e jashtme”-tha Agim Nuhiu, zv/ministër i Drejtësisë .

VMRO-DPMNE-ja vlerëson se nuk ka kushte për regjistrim në prill të 2021-shit për shkak të krizës me pandeminë. Gjithsesi kanë një sërë kritikash për propozimin. Si problem më serioz e konsiderojnë regjistrimin e diasporës, gjë të cilën e kundërshtojnë. Nuk pranojnë regjistrim mbi bazën e “nënshtetësisë”.

Kjo nënkupton regjistrimin e personave dhe amvisërive të tyre që as nuk janë dhe as nuk do të jenë pjesë e popullsisë së përgjithshme të Maqedonisë. Kjo nënkupton rritje joreale të popullsisë me persona që jetojnë dhe punojnë në vendet tjera”-tha Zhaklina Peshevska, VMRO-DPMNE.

Në ligj është paraparë nënshkrim i lidhur i drejtorit dhe zv/drejtorit që d.m.th. se pa zv/drejtorin ose pa nënshkrimin e tij s’do të mund të zbatohet asgjë. Nuk e di a do të bëhet fjalë për shantazh klasik por është rasti i parë i këtill në një ligj për regjistrim”-pohoi Dafina Stojanovska, VMRO-DPMNE.

Opozita shqiptare do të votojë për nevojën e regjistrimit të popullsisë por ka disa vërejtje. Thotë se është qesharake dhe e pakuptimtë që liritë dhe të drejtat e njeriut në vend varen nga të dhënat statistikore të regjistrimit.

Çështja kryesore për përgatitjet e regjistrimit është përpilimi i pyetësorit kurse në ligj ai nuk gjendet, d.m.th. është e drejtë e Entit shtetëror të statistikave dhe në këtë aspekt mund të kemi dilema dhe probleme eventuale”-tha Halil Snopçe, Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

Shumica parlamentare fton deputetët të besojnë në punën e Entit shtetëror të statistikave. Thotë se regjistrimi s’do të jetë proces politik.

Të dhënat e mbledhura nga regjistrimi do të shfrytëzohen për krijimin e politikave zhvillimore, planifikime makro-ekonomike, hulumtime shkencore dhe të tjera dhe për qëllime statistikore. Atëherë, si mund të themi paraprakisht se të dhënat do të keqpërdoren politikisht”-tha Snezhana Kaleska Vançeva, LSDM.

Regjistrimi i fundit në vend është bërë në vitin 2002 kurse procesi i filluar në vitin 2011 u ndërpre. Procedura hetimore për lëndën “Regjistrimi” në të cilën të dyshuar ishin kreu i BDI-së Ali Ahmeti dhe ish kryeministri Nikolla Gruevski me akuzën për dëmtimin e buxhetit të shtetëror për 2.8 milion euro u ndërpre pasi Prokuroria Publike nuk kishte arritur të dëshmojë veprën penale.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button