Reja: Duhet të tregojmë se jemi favorit edhe në terren

Shqipëria do të përballet me Islandën gjatë ditës së hënë, në kuadër të Ligës së Kombeve. Një takim shumë i rëndësishëm për kombëtaren shqiptare, e cila kërkon ta nisë me këmbën e mbarë këtë kompeticion.
Në konferencën për shtyp në prag të kësaj përballje ka folur edhe trajneri i kuqezinjve, Edoardo Reja, i cili ka theksuar se asnjëra skuadër nuk është favorite, ndërsa italiani u shpresh se mungesat e Brojës, Uzunit dhe Bares nuk do të ndjehen, pasi ka grumbulluar lojtarët më të mirë në dispozicion, për të marrë fitoren.
“Padyshim që të gjitha ekipet që janë në këtë grup si Izraeli si Islanda pretendojnë që të jenë favorite me largimin e Rusisë. Megjithatë kjo e gjitha do tregohet në fushë dhe ne duhet të bëjmë gjënë më të mirë, për të treguar që jemi favorit jo vetëm në mendim, por edhe në fushë.
Unë jam përpjekur të bëj një grup prej 24 apo 25 lojtarësh që të jenë në nivel të lartë dhe ia kemi dalë, mund të them që mungesa e këtyre lojtarëve ndjehet, por kemi një grup të mirë që i zëvendëson. Nuk kemi Uzunin nuk kemi Baren, por kemi Abrashin, kemi Asllanin, Bajramin dhe besoj që kemi një grup të mirë që nuk do na bëjnë ta ndjejmë mungesën e këtyre lojtarëve,” tha mes tjerash Edoardo Reja.
Përballja në mes Islandës dhe Shqipërisë do të zhvillohet në stadiumin në Rejkjavik, në orën 20.45.