Rekord vape në disa pjesë të Australisë

Rekord vape në disa pjesë të Australisë

Disa pjesë të rajonit Pilbara të Australisë Perëndimore e kanë shënuar ditën më të nxehtë ndonjëherë. Temperatura atje ka arritur në 50 gradë.

Termometri në Roebourne shkoi në nivel rekord në mesditën e së enjtes, sipas Byrosë së Meteorologjisë. Rekordi i mëparshëm në këtë qytezë ishte shënuar në dhjetor të vitit 2011 me 49.4 gradë.

Rekord u shënua edhe në Karratha, në bregdetin veriperëndimor, ku temperatura shkoi në 48.4 gradë, pak më shumë se rekordi i mëparshëm prej 48.2 gradë, shkruan The Guardian.

Temperatura më e lartë ndonjëherë në Australinë Perëndimore është regjistruar në shkurt të vitit 1998, kur termometri kishte shkuar në 50.5 gradë. Temperaturë më e lartë se kjo është regjistruar vetëm një herë më parë në Australi – 50.7 gradë në Oodnadatta, më 2 janar 1960.

Vapa pritet të lehtësohet pak në Roebourne dhe Karratha të premten, por një ditë tjetër me temperaturë deri në 49 gradë është parashikuar në Onslow.

Paralajmërimi për mot të ashpër është lëshuar në disa pjesë të rajonit Kimberley. Byroja e Meteorologjisë tha se shtypja e ulët tropikale pritet të zhvendoset matanë kufirit nga Territori Verior, duke sjellë reshje të dendura shiu e vërshime të mundshme.

LEXO EDHE:

Back to top button