REL: Fëmijët e Blerim Bexhetit hapin kompani ndërtimi
REL: Fëmijët e Blerim Bexhetit hapin kompani ndërtimi
Gazetar: Suad Bajrami
Dy fëmijët e deputetit të BDI-së Blerim Bexheti kanë hapur kompani për ndërtimtari gjatë kohës derisa Policia Financiare e ka udhëhequr procedurën parahetimore kundër tij për falsifikim të lejes së ndërtimit për një ndërmarrje nga fshati Gllumovë, shkruan Radio Evropa e Lirë. Kompania që mban emrin “VE-INVEST HOLDING SHPK SHKUP” është themeluar më 16 shtator të vitit 2025 me kapital jomonetar prej 5.000 eurosh, ndërsa pronare e kompanisë është Elma Bexheti, kurse udhëheqës Valon Bexheti.
Lokacioni ku është regjistruar kompania sipas këtij artikulli është një banesë në pronësi të Bexhet Bexhetit, babait të deputetit. Por pavarësisht obligimit ligjor, Bexheti nuk e ka paraqitur themelimin e kompanisë së fëmijëve të tyre në fletën anketuese që funksionarët e dorëzojnë në Komisionin për Parandalimin e Korrupsionit. Për këtë, Antikorrupsioni ka formuar lëndë.
“Ju njoftojmë se Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit me vetiniciativë ka formuar lëndë për verifikimin e supozimit se është themeluar kompania në fjalë dhe se nuk është paraqitur sipas nenit 85 të Ligjit për Parandalim të Korrupsionit dhe Konflikt të Interesave”, tha Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit.
Raportimet mediatike, Bexheti i quajti absurd, sensacion dhe montim të aferave me qëllim që të njolloset figura e tij, ndërsa shprehet i gatshëm që kompaninë ta paraqesë në Antikorrupsion me tre muaj vonesë.
“Të jemi të sinqertë: “krimi” im, sipas tyre, është se me vonesë prej vetëm tre muajsh, nuk e kam paraqitur themelimin e kompanisë në Komisionin Antikorrupsion kompani e cila aspak nuk punon, nuk fiton dhe nuk ka të bëjë me para publike. Sipas interpretimit tim të ligjit, duke marrë parasysh se fëmijët e mi jetojnë ndaras nga unë, as që ka ekzistuar detyrimi për ta paraqitur”.
Përndryshe në qershor të vitit të kaluar VLEN publikoi një Marrëveshje të Ndërmarrjes Publike për Higjienë Komunale dhe djalit të Blerim Bexhetit. Asokohe, në krye të Higjienës ishte Sabahudin Rustemi nga BDI, i cili më pas u arrestua dhe u dorëzua aktakuzë për rrezikim të mjedisit jetësor. Sipas dokumentit, 19-vjeçari Bexheti do të duhej të paguhet 12 mijë euro për ofrimin e shërbimeve intelektuale – këshilla për mbrojtje të mjedisit jetësor. Megjithatë, marrëveshja është anuluar më 4 mars, respektivisht nuk është realizuar.
Në nëntor të vitit të kaluar, Policia Financiare dorëzoi kallëzim penal për falsifikim dhe përfitim të kundërligjshëm kundër tetë personave, përfshirë edhe Blerim Bexhetin për kohën derisa ka shërbye si kryetar i Komunës së Sarajit. Dyshimet janë se kanë lëshuar leje ndërtimi dhe dokumente me përmbajtje të rreme për një parcelë pa plan të miratuar urbanistik. Bexheti hodhi poshtë akuzat, ndërsa kallëzimin e quajti shantazh./ Alsat.mk








