Rëndësia e higjienës orale, çfarë duhet dhe çfarë s’duhet të bëjmë?
Rëndësia e higjienës orale, çfarë duhet dhe çfarë s’duhet të bëjmë?

Gazetare: Ilmie ZHaku
Higjiena orale është shumë e rëndësishme për shëndetin tonë të përgjithshëm. E ftuar në emisionin Ditë e Re, me moderatoren Rita Behadini, dentistja Viona Maloku theksoi problemet të cilat mund të vijnë nga moskujdesi i higjienës së gojës. Ajo tha se higjiena e dobët e gojës mund të sjellë probleme shëndetësore, duke filluar nga problemet me mishrat e dhëmbëve, e deri tek ndikimi në shëndet tek personat me sëmundje kronike. Dentisja theksoi se jo vetëm tek personat me sëmundje kronike, por edhe tek personat e shëndetshëm, higjiena e dobët orale mund të sjellë në probleme të shumta, duke vënë theksin edhe tek sëmundja e alzajmerit.
“Higjiena orale është shumë e rëndësishme, sepse vijnë probleme të tjera shëndetësore nëse kemi higjienë të dobët, probleme të cilat fillojnë hap pas hapi, duke filluar me probleme periodontale, të cilat janë të mishrave të dhëmbëve, pastaj shoqërohen edhe me sëmundje kronike. Duhet kujdes i vazhdueshëm i higjienës orale, sepse goja lidhet me të gjitha, dhe kur kanë sëmundje kronike, edhe mund të përmirësojë edhe mund të përkeqësojë situatën që e ka një pacient. Shembull një pacient me diabet i cili ka problem edhe me shërimin e plagëve, nëse nuk ka kujdes parësor ato fillojnë duke u përkeqësuar me kohën. Pastaj këtu futen edhe ato persona të cilët kanë sëmundje të zemrës, ata të cilët kanë zemrën më të dobët, tek ata duhet të ketë shumë kujdes sepse çdo bakteria mund ta atakojë një zemër që është më e dobët. Është një lloj bakterie që gjendet në gojë, dhe që mund të udhëtojë në kokë, e mund të shkaktojë edhe alzajmerin.”, – tha Viola Maloku, dentiste.
Maloku tha se është shumë e rëndësishme të kemi kujdes me ushqimin dhe pijet me gaz, por gjithashtu përmendi edhe konsumimin e çamçakëzës, që shpesh ka diskutime a duhet apo nuk duhet të konsumojmë çamçakëz. Dentistja tha se çamçakëzi mund të ndihmojë në freskimin e gojës, megjithatë duhet të përtypet deri në 20 minuta në ditë, përtypja më e gjatë e çamçakëzit mund të bëjë dëm. Ndërsa përmendi edhe biberonin tek fëmijët, ku tha se duhet të përdoret sa më pak, sepse sjell dëmtim të dhëmbëve dhe të higjienës orale. /Alsat.mk