Reshje bore në të gjithë vendin, disa fshatra mbeten të bllokuara
Reshje bore në të gjithë vendin, disa fshatra mbeten të bllokuara

Gazetar: Avni Tahiri
Reshjet e borës në disa vende kanë arritur edhe mbi 60 centimetra, si në Kodrën e Diellit dhe në Mavrovë por bora shkaktoi edhe telashe në shumë vende.
Rrëshqitje të mëdha dëbore në rrugë kanë bllokuar disa rrugë magjistrale ndërsa në disa rrugë tjera është vendosur ndalesë për qarkullimin e automjeteve të rënda për shkak të dëborës.
Sipas raportimeve, disa fshatra kanë mbetur të bllokuar për shkak të reshjeve të borës ndërsa është raportuar edhe për mungesë të energjisë elektrike për shkak të rënies së shtyllave elektrike.
Nga Ministria e Transportit informojnë se ekipet kujdestare të Ndërmarrjes Publike Rrugët e Maqedonisë kanë qenë vazhdimisht në terren gjatë gjithë natës, duke pastruar të gjitha rrugët shtetërore që të jenë të kalueshme për qarkullim ndërsa shtojnë se qarkullimi zhvillohet në kushte dimërore.
“Shërbimet e Ndërmarrjes Publike Rrugët e Maqedonisë me gjithë makineritë dhe fuqinë punëtore vazhdojnë të lirojnë rrugën për qarkullim normal në rrugët shtetërore. Apelojmë tek të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë dispozitat ligjore për drejtimin e automjeteve në kushte dimërore dhe të kenë pajisje dimërore për veturat e tyre, të lëvizin me kujdes dhe të respektojnë shenjat e vendosura në komunikacion”, njoftojnë nga Ministria e Transportit.
Nga Qendra për Menaxhim me Kriza njoftojnë se në 24 orët e fundit në numrin e urgjencës 112 kanë pranuar mbi 1700 thirrje telefonike ku janë raportuar për rënie të pemëve, rënie të shtyllave dhe prishje të telave nga rrjeti shpërndarës i energjisë elektrike. Kërkesat për zgjidhjen e tyre u janë përcjellë shërbimeve dhe institucioneve kompetente.
Sipas Entit të Hidrometeorologjisë, edhe gjatë ditës së nesërme në disa zona të vendit pritet të ketë reshje të dëbore dhe me temperatura të ulëta që do të zbresin nën -10 gradë. /Alsat.mk