Reshjet e shiut ua rëndojnë jetën banorëve të Shuto Orizares

Reshjet e shiut ua rëndojnë jetën banorëve të Shuto Orizares

Gazetar: Avni Tahiri

Tunaj Sejfullov jeton në kushte të mjerueshme me katër fëmijët e tij në Shuto Orizari. Vajza e tij më e vogël është vetëm shtatë vjeçare. Gjendja e tij u vështirësua edhe më shumë nga shiu i rrëmbyeshëm i javës së kaluar. Iu shkatërrua edhe ai kulm i paktë që kishte mbi kokë.

“Këtu ishim, në këtë dhomë dhe nuk dinim çfarë të bëjmë, u frikësuam edhe nga rryma që uji të mos shkojë në rrymë, por kjo është, moti na shkatërroi. Sipas videos ju ishit brenda kur rridhte ujë. Po, këtu ishim të gjithë. Kërkoj ndihmë nga shteti, qeveria që të na ndihmoje sa më shpejtë sepse fëmijët nuk kanë ku të flenë. A e paraqite në polici, komunë? Po e paraqita në polici dhe në komunë”, deklaroi Tunaj Sejfulov, banor i Shuto Orizares.

Përveç Sejfullovit, edhe familja e Selim Gjurgjemanit ka pësuar dëme të shumta. Ai jeton vetëm me ndihmë sociale dhe të vetmen shpresë për të riparuar shtëpinë e ka ndihmën nga shteti.

“Ky është dëm i madh, nëse e largoj laminatin në tokë do jem, në beton. Me grua të sëmurë jam, me katër sulme në tru dhe kështu të jetoj? Kjo nuk është reale”, tha Selim Gjurgjeman, banor i Shuto Orizares.

Deri më tani në komunën e Shuto Orizarës mbi 50 familje kanë paraqitur dëme materiale në shtëpitë e tyre nga vërshimet e ditëve të fundit. Ndërsa ndër qytetaret që pësuan nga shiu ishte edhe vetë kryetari i komunës Shuto Orizari.

“Janë përmbytur shumë familje dhe deri tani janë paraqitur rreth 50 familje të cilët pësuan dëme. Dëmet janë, tavane të rëna, shtëpi të përmbytura, mobilojë, laminate, aparate elektrike. Pasi të shkojnë në polici të paraqesin dëmet, ne i pranojmë paraqitjet dhe formuam komision në komunën tonë, pasi të pranojmë të gjitha paraqitjet, komisioni do të del në terren dhe do konstatoje dëmet dhe atë do ta paraqesim tek qeveria”, deklaroi Kurto Dudush – Kryetar I Komunës Së Shuto Orizares.

Procedura për vlerësimin dhe dëmshpërblimin e dëmeve nga vërshimet zakonisht merr shumë kohë. Qeveria në seancën e fundit angazhoi Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave që të bëj vlerësimin e dëmeve. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button