Rifillojnë bisedimet SHBA-Kinë për përfundimin e luftës tregtare

Negociatorët tregtarë amerikanë dhe kinezë zhvilluan sot një videotelefonatë, në një rifillim të bisedimeve për të adresuar dallimet e tyre pas një lufte tregtare të përshkallëzuar që nisi në 2018.
Përfaqësuesja amerikane e Tregtisë, Katherine Tai foli me zëvendëskryeministrin e Kinës, Liu He, pas një ndërprerjeje të gjatë.
“Sot, negociatorët ngritën shqetësimet e tyre kryesore dhe ranë dakord t’i menaxhojnë ato përmes konsultimeve të ndërsjella”, njoftoi agjencia zyrtare kineze e lajmeve Xinhua.
“Ata, gjithashtu, diskutuan zbatimin e një marrëveshjeje që mbulon fazën e parë të një plani që synon zgjidhjen e luftës tregtare, ndërsa ranë edhe dakord të vazhdojnë dialogun e tyre”, shtoi Xinhua.
Lufta tregtare filloi në qershor 2018, kur ish-presidenti amerikan, Donald Trump, vendosi tarifa ndëshkuese për importet nga Kina me vlerë 50 miliardë dollarë, në një përpjekje për të reduktuar rritjen e deficitit tregtar midis dy vendeve.
Trump akuzoi vazhdimisht Pekinin për praktika të padrejta tregtare.
Konflikti më pas u përshkallëzua gjatë vitit të ardhshëm, kur Trump vendosi tarifa ndëshkimore prej 500 miliardë dollarësh të tjerë për pothuajse të gjitha importet nga Kina, gjë që çoi në një hakmarrje nga Pekini.