Rikonstruimi, Dimitrievski e quan VLEN-in partner të tretë në Qeveri
Gazetar: Suad Bajrami
Vazhdojnë bisedimet për rikonstruimin e Qeverisë. Partneri qeveritar ZNAM, Maksim Dimitrievski, i cili VLEN-in e quan partner të tretë në Qeveri, lidhur me zërat për këmbimin e Ministrinë së Drejtësisë me atë të Bujqësisë thotë se të gjitha opsionet janë në tavolinë.
“Kur bisedoni në politikë, të gjitha opsionet janë në tavolinë, keni shumë propozime, shumë mendime, individuale dhe partiake, por them hajde të presim të ndodh marrëveshja përfundimtare, pasi ne si partnerë qeveritar dhe atë e dëgjoj se edhe VLEN gjithashtu si partner i tretë në Qeveri, ende nuk kemi arritur marrëveshje përfundimtare“, deklaroi sot kryetari i ZNAM-t, Maksim Dimitrievski.
Sipas paralajmërimeve të kryeministrit Hristijan Mickoski deri në mes të javës së ardhshme pritet të dihen kombinimet përfundimtare nga operacioni politik për të riformatuar ekzekutivin. Rikonstruimi sipas kreut të Qeverisë, nuk bëhet për shkak të rezultateve të ministrave, por për shkak të prioriteteve që i kanë partitë, kurse me këtë paralajmëroi dhe këmbim të resorëve.
Ndonëse jozyrtarisht, por gjithnjë e më të zëshme janë informatat se koalicioni VLEN do t’i këmbejë tri ministri. Do të heqë dorë nga Shëndetësia, Eurointegrimet dhe Politika Sociale, ndërsa do të marrë drejtimin e Drejtësisë, Kulturës, por edhe të Sportit.
Me rokadën e këtillë, partia e Izet Mexhitit e Bilall Kasamit, politikën e jashtme të shtetit e lë 100% në duar të VMRO-së, e cila ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit pasi refuzon t’i bëjë ndryshimet kushtetuese.
Dy vjet nga formimi, ky është rikonstruimi i parë i Qeverisë së Mickoskit, ndonëse pas zgjedhjeve lokale kishte disa lëvizje për shkak të rezultati zgjedhor. Respektivisht, Izet Mexhiti u largua nga pozita e ministrit të Mjedisit Jetësor, ndërsa në vend të tij si ministër i Mjedisit erdhi Muhamet Hoxha, kurse në pozitën e zëvendëskryeministrit të parë, Bekim Sali, i cili njëkohësisht e ushtron edhe pozitën e ministrit për Çështje Eurointegrime, pasi nga kjo pozitë u largua Orhan Murtezani. /Alsat.mk.








