“Roblox, lojë e rrezikshme për fëmijët” – sociologu këshillon prindërit
“Roblox, lojë e rrezikshme për fëmijët” – sociologu këshillon prindërit
Sociologu Jeton Brajshori ka ngritur shqetësime në lidhje me lojën “Roblox” dhe ndikimin negativ që kjo lojë mund të ketë mbi fëmijët.
Gjatë një lidhje telefonike në emisionin “Radar” në Radio Dukagjini, ai këshilloi prindërit që të mos lejojnë fëmijët të përdorin këtë lojë, duke theksuar prirjen e saj për të promovuar përmbajtje të dëmshme, si dhomat e dhunës.
Brajshori i bëri thirrje prindërve që të largojnë Roblox nga pajisjet e tyre dhe të bisedojnë me fëmijët për rreziqet që ajo përmban, duke u shprehur se loja përdor metoda joshëse për të tërhequr fëmijët dhe se kjo mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e tyre emocional dhe social.
Ai tha se loja Roblox në dhomat virtuale ka edhe opsionin ‘ta rrahësh gruan shtatzënë’, transmeton Telegrafi.
“Lus të gjithë prindërit ta fshijnë Roblox-in kudo që e shihni. Flisni me fëmijët e juaj pasi ajo është një lojë që në fillim i josh fëmijët…”, tha sociologu.
Edita Doli, drejtuesja e emisionit dhe drejtoreshë e Radio Dukagjinit, përmendi përvojën personale të djalit të saj, i cili u anashkalua nga shoqëria pasi nuk luante këtë lojë.
“Kohën e verës e kam bind djalin tim që të ndalojë se luajti për shkak të dhomës së vrasjes dhe bisedave të mundshme me njerëz të huaj, por kur ka dal në shkollë kishte një grup fëmijësh që e anashkaluan prej rrethit shkaku i Roblox pasi ishte i vetmi që nuk luante. Kjo punë ka një zinxhirë pak më të gjerë se sa veç prindi”, tha Doli.
Sociologu e ngriti këtë shqetësim duke thënë se nëse fëmijët nuk marrin pjesë në trendët e fundit po bullizohen nga shoqëria duke ju thënë se nuk janë më In.
Gjithashtu, sociologu paralajmëroi për rreziqet e tjera të pranishme në rrjete sociale si TikTok, ku lojërat që promovojnë vetëlëndimin po përhapen me shpejtësi, duke shkaktuar probleme në disa shkolla në Kosovë.
Ai theksoi se për t’i mbajtur fëmijët larg nga këto rreziqe, është thelbësore bashkëpunimi i prindërve, mësuesve dhe psikologëve të shkollës.
“Fëmija po bullizohet pasi nuk je ‘In’ me trendin. Ne i kemi pa edhe lëndimet e nxënësve që kanë marrë nga TikTok. Mirëpo duhet të funksionojë prindër, psikologia e shkollës dhe mos të marrim apriori që fëmija ka gjithmonë të drejtë. Gjithmonë duhet me shku me rezerva, me bisedu dhe me iu qas problemit, pasi për secilin prind fëmija i tij është më i miri, mirëpo rregulla të tjera ka në shtëpi dhe rregulla të tjera ka në rrugë dhe në shkollë”, shpjegoi sociologu.
Në fund, Brajshori rekomandoi që prindërit të krijojnë grupe diskutimi me fëmijët dhe psikologët e shkollës, për të shpjeguar rreziqet që sjell loja Roblox dhe për të gjetur alternativa më të shëndetshme dhe të sigurta për argëtimin e fëmijëve.