Roma bën histori në “Air Albania”, Murinjo fiton garën e tretë të UEFA-s

Roma bën histori në stadiumin “Air Albania” të Tiranës teksa fiton edicionin e parë në historinë e Conference League.

Italianët u treguan më cinikë në 90-minutat e “Air Albania”-s teksa shfrytëzuan një gol të Nikolo Zaniolos në minutën e 32-të duke fituar trofeun e parë europian pas Kupës së Panairëve në vitin 1961.

Ndeshja në fakt, nisi e qetë ashtu siç luhen finalet. Munguan rastet e pastra dhe të dyja skuadrat ishin duke studiuar njëra-tjetrën, ndërsa trajneri Hoze Mourinjo në minutën e 18-të humbi për arsye dëmtimi Mkhitaryan.

Gjithsesi, në rastin e parë të rrezikshëm, verdhekuqtë ndëshkuan holandezët me Zaniolon që mori topin bukur në zonë pas një pasimi të Mancinit dhe me klas kaloi portierin Bijloë. Goli ndezi gjakrat e lojtarëve në fushë që patën edhe një moment tensioni, megjithatë sërish munguan rastet. Fraksionin e dytë, Feyenoord e nisi me një marsh më shumë ndeshjen dhe menjëherë krijuan dy raste të pastra brenda tre minutave ku goditën dy herë shtyllën.

Gjithsesi, Roma pati fat dhe e kaloi momentin e vështirë falë edhe ndërhyrjeve të portierit Rui Patricio që ruajti portën e paprekur.

Në minutat në vazhdim, Roma pati një mundësi të artë me Pellegrinin për të mbyllur llogaritë e sfidës, por kapiteni goditi dobët. Gjithsesi, Roma i mbijetoi sulmeve të holandezëve dhe fitoi trofeun e Conference League në stadiumin Air Albania.

Sakaq, vlen të theksohet edhe fakti se trajneri Mourinjo, bëhet i pari trajner që fiton tre kompeticione të UEFA-s – Ligën e Kampionëve, Liga Europa dhe tashmë Liga e Konferencës.

Tirana i sjell fat Romës dhe teknikut portugez që tashmë i pret një festë e madhe e merituar për një sezon që mbyllet me një trofe të rëndësishëm për klubin verdhekuq.

LEXO EDHE:

Back to top button