Ronaldo kryeson listën e golashënuesve, lë pas Halandin e Mbapen

Kristiano Ronaldo duket i pandalshëm. Portugezi nuk njeh limite dhe moshë teksa në sfidën e fundit kualifikuese të luzitanëve për Euro 2024, shënoi një dygolësh në ndeshjen e fituar 5-0 ndaj Bosnjë-Hercegovinës në transfertë. Mes kombëtares dhe “Al Nassr”, këto dy gola e dërgojnë CR7 në kuotën e 40 realizimeve për vitin 2023, duke lënë pas edhe emrat kryesorë të Kontinentit Europian, si Erling Haaland në kuotën e 39 golave dhe Kilian Mbape që ka realizuar deri më tani 35 gola.
Lista e golashënuesve
- Kristiano Ronaldo — 40
- Erling Haaland — 39
- Kilian Mbappé — 35
- Hari Kejn — 33
Viti do edhe dy muaj që të mbyllet e mesa duket Kristiano Ronaldo do të luftojë deri në fund për të qenë ai golashënuesi më i mirë në 2023, si një mesazh që forma e tij nuk ka rënë kurrë dhe që emri i tij mbetet në mesin e futbollistëve më të mirë të botës.