Ronaldo mposht skuadrën e Benzema-s, portugezi bëhet edhe golashënuesi i vitit

Skuadra e “Al Nassr” arriti një fitore tejet të rëndësishme në garën për titull duke mundur në transfertë 2-5 skuadrwn e “Al Ittihad”, në sfidën e prapambetur të kampionatit. Sfida nisi mjaft mirë për vendasit, të cilët kaluan në avantazh në minutën e 14’ me Hamdallah, por 5 minuta më vonë ishte Ronaldo që rivendosi baraspeshën me anë të një penalltie. Pa u mbyllur pjesa e parë, Taliska përmbysi rezultatin.
Në të 52’ ishte sërish Hamdallah që baraspeshoi sfidën, por një tjetër penallti në minutën e 68’ e realizuar nga Ronaldo kaloi në avantazh “Al Nasr”. Më pas ishte Sadio Mane që shënoi dy herë të tjera për t’i dhënë përfundimisht fund sfidës, teksa Karim Benzema qëndroi në hije gjatë gjithë sfidës.
Kështu, “Al Nassr” ngushton me 7 pikë diferencën me Al Hilalin e vendit të parë, ndërsa Kristiano Ronaldo parakalon Mbape-n dhe Hari Kejnin në garën për golashënuesin e vitit, duke shkuar në 53 me një ndeshje të mbetur. I vetmi që e kërcënon është Erling Haaland, i cili ka dhe dy ndeshje me Man. Sitin, teksa ndodhet në kuotën e 50 golave.