Ronaldo nuk ndalet: Dua të shënojë 1.000 gola

Kristiano Ronaldo, ka thënë se nuk ka mbaruar ende me shënimin e golave dhe se synimi i tij është të shënojë të paktën 1000 gola gjatë karrierës së tij. Veterani i futbollit shënoi golin e dytë në fitoren e Portugalisë ndaj Kroacisë (2-1) në Lisbonë dhe arriti golin e tij të 900-të në karrierë.
“Dua të shënoj 1000 gola. Nëse nuk kam ndonjë lëndim dhe kjo është gjëja më e rëndësishme për mua, ky është qëllimi që dua të arrij. Janë video të të gjithë golave që kam shënuar, ndaj nuk ka asnjë mashtrim”, tha 39-vjeçari Ronaldo.
Ronaldo e përjetoi emocionalisht golin e 900-të, ra në gjunjë pranë flamurit të këndit dhe shpërtheu në lot. Ky ishte goli i tij i 131-të për Portugalinë, dhe në nivel klubesh ai ishte golashënues për Sportingun, Man. Junajtedin, Real Madridin, Juventusin dhe Al Nasr, për të cilët tani luan.
Për Sportingun ai shënoi pesë gola në 31 ndeshje, dhe për United në episodin e parë 118 gola në 293 ndeshje dhe në të dytin 27 gola në 54 ndeshje. Në nëntë vite në Madrid ai shënoi 450 gola në 438 ndeshje, në Juventus shënoi 101 gola në 134 ndeshje, ndërsa për Al Nasr në 74 ndeshje shënoi 68 gola deri më tani.
Ai është më i miri për sa i përket numrit të golave të shënuar në garat përfaqësuese ndërkombëtare dhe numrit të ndeshjeve të luajtura. Nuk ka asnjë bazë të dhënash qendrore të golashënuesve, por Ronaldo është golashënuesi kryesor në garat zyrtare.
Legjendat braziliane, Pele dhe Romario, pretenduan të dy se kishin shënuar 1000 gola, por kur përjashtohen ndeshjet miqësore, ata janë në 700 secila, raportoi BBC. Sipas të dhënave jozyrtare Pele ka shënuar 778 gola dhe Romario 785. Futbollisti i famshëm argjentinas Lionel Messi deri më tani ka shënuar 867 gola.