Rrëfehet ‘skifteri’ shqiptar: Ja pse nuk e kam grabitur shtëpinë e Mesit

Grabitjet e shtëpive të njerëzve të famshmë, sidomos të futbollistëve, të cilët janë ndër njerëzit më të paguar në botë, prej kohësh janë kthyer në një trend të rrezikshëm. Vetëm kohët e fundit këtë tmerr e përjetoi ish-madrileni Sergio Ramos dhe familja e tij, por pre e këtyre grabitjeve kanë rënë me dhjetëra të tjerë.
Media spanjolle “Diario AS” ka publikuar një bisedë me një grabitës që identifikohej si shqiptar i cili zbuloi se ishte përgjegjës për “boshatisjen” e shtëpive të disa futbollistëve më të famshëm, mes të cilëve dhe Kristiano Ronaldo e Karim Benzema. Shqiptari nga Kosova, i identifikuar në intervistë me nofkën “Alberto” zbuloi emrat e disa prej futbollistëve të cilëve ai dhe banda e tij u kanë hyrë në shtëpi për t’i grabitur.
“Ne e grabitëm Benzeman dhe ai nuk na kapi. Ne gjithashtu tentuam vjedhjen në shtëpinë e Cristianos në Madeira, por “plaçka” nuk ishte joshëse”
Në vitin 2012, grabitësit shënjestruan shtëpinë e Cruyff-it, megjithëse ata hynë në rezidencën e tij fillimisht pa e kuptuar se ishte e tija. Mirëpo, sapo u futën brenda, vunë re fotot e tij me Dennis Bergkamp. Ata arritën t’i vidhnin nga shtëpia e tij sende me vlerë që kapin vlerën e rreth 20,000 euro.
I pyetur për Messin, grabitësi shqiptar në arrati surprizoi me përgjigjien duke thënë se nuk do ta bënte kurrë diçka të tillë në shtëpinë e argjentinasit për shkak të respektit që kishte.
“Kam ndaluar disa herë njerëzit që donin të grabisnin shtëpinë e Messit, njerëzit më thonin ta bëja, por nuk mund t’i ndaloj të gjithë. Këtë herë munda dhe jam shumë krenar”, tha ai.