Rrëfimi i ushtarëve ukrainas në pritje të Rusisë

Ushtarët ukrainas në vijën e frontit në Luhansk besojnë se Rusia është duke pritur momentin e duhur për të sulmuar.
Më shumë se 100 mijë ushtarë rusë janë tubuar në afërsi të kufirit me Ukrainën teksa shtetet perëndimore janë të bindura se Rusia pritet të sulmojë në muajin shkurt.
Zahar Leshyshyn ka shërbyer në vijën e frontit kundër separatistëve pro-rusë. Ai thotë se një prej arsyeve se përse presidenti rus Vladimir Putin nuk ka nisur sulmin janë kushtet e rënda të motit.
“Putini është duke pritur momentin e duhur. Nga këndvështrimi ushtarak, nuk është moment i duhur për sulm. Së pari për shkak të kushteve të motit të cilat janë të rënda për automjetet dhe ushtrinë”.
Ushtari tjetër me emrin Nazar, thotë se provokimet nga Rusia tashmë shihen, sidomos gjatë dimrit.
“Ka provokime nga pala tjetër dhe këtë e shohin të gjithë. Kjo ndodh sidomos tash kur nuk ka gjelbërim dhe mund të shihet gjithçka shkaku i borës. Është e mundur të fshihesh gjatë verës, por tani çdo lëvizje shihet”.
Në fshatin Zolote, Olga Berezhna, 59-vjeçare, është më e reja në moshë nga 16 banorët e mbetur. Të gjithë të tjerët janë në të tetëdhjetat.
“Do të ishte më mirë të kishte luftime për një javë apo një muaj dhe të gjithë do të fshiheshim siç bëmë në vitin 2014 dhe pastaj mori fund. Nuk kam durim. Tani nuk mund të flemë sepse nuk ka luftime dhe kur është qetësi diçka e keqe pritet të ndodhë”.
Të rinjtë kanë ikur. Janë larg qyteteve kufitare.
Pentagoni ka deklaruar se përgatitja ushtarake e Rusisë në kufi me Ukrainën, ka arritur në pikën kur presidenti Vladimir Putin tani ka opsione të kompletuara ushtarake. Analisti Alexander Vindman ka parashikuar se Rusia do ta pushtojë Ukrainën në mesin e muajit shkurt.
Vindman, nënkolonel i pensionuar i Ushtrisë amerikane dhe ish-drejtor për çështjet evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, ka thënë se Rusia ka kryer përgatitjet e nevojshme ushtarake dhe politike në krizën me Ukrainën.
Sipas tij, presidenti rus nuk dëshiron të tërheqë pakënaqësinë e Kinës para Lojërave Olimpike Dimërore. Vindmani ka thënë se Rusia do të presë edhe pak ditë për t’u siguruar se do të ketë mbështetjen e Kinës në rast të sanksioneve të rënda perëndimore.
Kremlini, të premten, ka deklaruar se Perëndimi ka dështuar të pranojë kushtet kyç për ndaljen e zgjerimit të NATO-s në Evropën Lindore.
Ndërkaq edhe presidenti amerikan Joe Biden ka paralajmëruar Ukrainën se ka shumë gjasa të sulmohet në muajin e ardhshëm.