Rrëshqitja shkëmbore në Alpe bllokon trenat midis Francës dhe Italisë

Rrëshqitja shkëmbore në Alpe bllokon trenat midis Francës dhe Italisë

Franca dhe Italia kanë pezulluar shërbimin e përbashkët hekurudhor të paktën deri të enjten, pas rrëshqitjes shkëmbore në luginën Maurienne në Alpet Franceze.

Autoritetet e Savojës thanë se shembja ndodhi në orën 17:15 të së dielës, kur një “masë dheu me vëllim rreth 700 metër kub” u përplas në barrierën mbrojtëse përgjatë rrugës RD 1006 që lidh rrugën Mont-Cenis me luginën italiane të Suzës.

Operatori hekurudhor francez, SNCF, njoftoi se rrëshqitja e dheut detyroi pezullimin e të gjithë trenave ndërkufitarë në linjën Chambery–Torino, si dhe trenat rajonalë TER në luginën Maurienne.

Tuneli Frejus që lidh Francën dhe Italinë nën Alpet gjithashtu do të qëndrojë i mbyllur për kamionët e rëndë. Shoferët e këtyre mjeteve janë këshilluar të përdorin tunelin e Mon-Blanit ose autostradën A8.

Ministri Francez i Transportit, Clement Beaune, tha se kthimi në normalitet i transportit në këtë zonë “do të marrë disa ditë”. /AFP

LEXO EDHE:

Back to top button