Rrezikohet regjistrimi, Barcelonës i nevojiten 50 mln euro

Barcelona rrezikon regjistrimin e Ilkay Gundoganit, pak ditë pasi firmosi dhe zyrtarizoi afrimin e ish-kapitenit të Man. Sitit, për shkak të situatës me “Fair-Play Financiar”.
“The Athletic” shkruan se kampionët në fuqi të Spanjës, duhet të arkëtojnë të paktën 50 milionë euro nga shitja e ndonjë “ylli”. Drejtuesit katalanas janë të detyruar të kryejnë një operacion të rëndësishëm në dalje për të regjistruar mesfushorin gjerman në La Liga.
Gundogan ka firmosur një kontratë 2-vjeçare me Barcelonën, me opsionin e rinovimit deri në verën e vitit 2026. Në marrëveshjen mes palëve është përfshirë edhe klauzola e shitjes së tij në të ardhmen: plot 400 milionë euro. “Krenar që jam një lojtar i Barcelonës dhe përshëndes gjithë tifozët e mi të rinj. Kur vendosa të ndryshoja skuadër, në mendjen time ishte Barcelona dhe asgjë tjetër.
Që i vogël ëndërroja të vishja një ditë fanellën e Barcelonës. Do të bashkohem përsëri me mikun tim të vjetër, Levandovskin. Dhe jam i emocionuar që do të punoj me Çavin. Një trajner që e kam admiruar për një kohë të gjatë”, deklaroi lojtari me origjinë turke gjatë prezantimit.