Rritet numri i të lënduarve nga tragjedia në Koçan, gjithsej 98 pacient po trajtohen në klinikat e vendit
Rritet numri i të lënduarve nga tragjedia në Koçan, gjithsej 98 pacient po trajtohen në klinikat e vendit

Gazetare: Linda Ebibi
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se është rritur numri i të shtruarve në klinikat e vendit. Gjithsej 98 pacientë po trajtohen në vend, prej tyre 52 janë në klinikën “Nënë Tereza”, në Klinikën “8 Shtatori”, 17 pacientë, në “Shën Naum i Ohrit”, 12 pacientë, në Klinikën e Toksikologjisë 10 pacientë dhe në Axhibadem Sisitina ndodhen 7 pacientë.
Në orët e para të mëngjesit janë paraqitur edhe 20 pacientë të rinj tre prej të cilëve janë zjarrfikës.
Andon Çibishev, mjek në toksikologji thotë se katër pacientët që janë në klinikën e tyre ende janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Ndërsa për të tjerët druan se ditëve në vijim mund të kenë komplikime për shkak të lëndimeve të rënda.
“Nga pacientët e mbetur në Klinikën e Toksikologjisë 13 gjithsej, për 4 pacientë nuk jemi të kënaqur nga gjendja e tyre pra nuk janë në gjendje të qëndrueshme, të tjerët janë stabil. Por, duke qenë se bëhet fjalë për djegie të rrugëve të sipërme respiratore dhe helmim akut të rëndë me gazra të dëmshëm, veçanërisht monoksid karboni, presim që në ditët në vijim të ketë komplikime”, deklaroi Andon Çibishev, mjek i toksikologjisë.
76 pacientët që ndodhen jashtë shtetit janë në gjendje qëndrueshme, megjithatë ende nuk janë jashtë rrezikut për jetë. Për dy pacientë që ndodhen në Kroaci, autoritetet dhanë detaje për gjendjen e tyre shëndetësore.
“Një person 16 vjeçar ka një djegie të lehtë përafërsisht 10 për qind, pa dëmtim të frymëmarrjes dhe nuk kërkon kujdes intensiv. Personi i dytë, 23 vjeçar ka 10-15 për qind djegie dhe që kërkon kujdes intensiv. Të dy janë aktualisht në gjendje kritike derisa të mund t’i diagnostikojmë më tej dhe të shohim se cili është problemi”, deklaroi Tihana Magdić Turković , shefe e Departamentit të Anesteziologjisë dhe Kujdesit Intensiv në Zagreb.
Mbrëmë në Qendrën Emergjente të Serbisë kanë mbërritur edhe tetë pacientë të lënduar rëndë nga zjarri në Koçan. Të gjithë ata kanë lëndime serioze dhe kërcënuese për jetën, tha mjeku Millan Stojiçiq.
“Sipërfaqja e trupit e prekur nga lëndimet e djegura është deri në 25 për qind. Të gjitha kanë simptoma të helmimit dhe djegie të rrugëve të frymëmarrjes dhe për këtë arsye janë të rrezikshme për jetën”, u shpreh Milan Stojiçiq, drejtor i Klinikës për Kirurgji Plastike në Serbi.
Në Serbi janë duke u trajtuar 29 persona të lënduar rëndë nga Koçani. Ato janë të vendosur në katër qendra shëndetësore në Serbi – në Nish në Spitalin Ushtarak dhe Qendrën Klinike të Nishit, në Beograd në Akademinë Mjekësore Ushtarake dhe në Qendrën Emergjente.
Gjatë ditës edhe katër pacientë janë dërguar në Lituani, 2 në Slloveni, 2 në Austri, 12 në Serbi dhe 1 në Bullgari.
Ndërsa, gjatë natës dhe ditës së nesërme pritet transporti mjekësor nga Austria, Greqia dhe Kroacia, me avionë dhe helikopterë për transferimin e mëtejshëm të pacientëve. /Alsat.mk