Rritja e temperaturave rrit nevojën për kujdes në ushqime dhe konsumimin sa më të madh të lëngjeve
Rritja e temperaturave rrit nevojën për kujdes në ushqime dhe konsumimin sa më të madh të lëngjeve

Gazetare: Linda Ebibi
Në ditët me temperatura të larta mjekët rekomandojnë që qytetarët të konsumojnë ushqime të lehta, sikurse perime dhe fruta si dhe sa më tepër ujë, ndërsa thonë se duhet shmangur produktet e mishit, qumështit dhe kafes. Mjeku Behar Kamberi thotë se në këto ditë të nxehta fëmijët, personat e moshuar dhe shtatzënat duhet që të shmangin qëndrimin në diell ndërsa rekomandohet veshje të lehta me ngjyra të çelura.
“Duhet të bëhet shprehi që gjatë gjithë kohës të kemi ujë me veti. Të largohemi nga ushqimet të cilat kanë produkte ushqimore të qumështit dhe të mishrave, të kemi kujdes që këta produkte mos të lihen gjatë kohë në temperatura të larta. Shkaku se dinë të vijnë deri në probleme gastroenterite apo të vjella dhe bark qitje. Ajo që është shprehi është kafja e mëngjesit, edhe këtu duhet të kemi kujdes, në qoftë se konsumoni kafe ajo shton një efekt dioretik, pra largon lëngjet nga trupi, nëse dikush është mësuar të pijë kafe, atëherë ta konsumon në mëngjes duke e shoqëruar me shumë sasi uji”, tha Behar Kamberi, Mjek.
Nga temperaturat e larta më të rrezikuar dhe që duhet të kenë kujdes të veçantë janë personat që janë me sëmundje të zemrës.
“Temperaturat e ngrohta zakonisht prekin sistemin kardiovaskular, d.m.th personat që kanë probleme me zemrën apo ent e gjakut dhe shtypje, ata duhet të kenë më tepër kujdes, por nuk përjashtohen edhe sëmundjet tjera, d.m.th këtu mund të bien edhe sëmundjet nervore të cilat shpesh herë dielli dhe nxehtësia mund të jenë faktorë për disa ekzibicime të këtyre gjendjeve, mirëpo theksin gjithmonë e hedhim tek personat të cilët kanë probleme kardivaskulare”, shtoi Behar Kamberi, Mjek.
Kamberi gjithashtu thotë se gjatë verës duhet pasur kujdes edhe me përdorimin e kondicionerëve të ajrit. Ai shton se duhet të pastrohen shumë mirë përpara përdorimit, sepse në filtrat e tyre ka bakterie të cilat janë të rrezikshme për traktin e sipërm dhe të poshtëm respirator./Alsat.mk