Rruga Industriale në Kumanovë e harruar nga kreu i komunës
Rruga Industriale në Kumanovë e harruar nga kreu i komunës

Gazetare: Ajnur Bafqari
Kjo është situata me të cilën përballen pronarët dhe punëtorët e dhjetëra kompanive në rrugën Industriale në Kumanovë.
Gropa me përmasa të mëdha, makina që dëmtohen vazhdimisht dhe masa që nuk ndërmerren, pothuajse asnjëherë.
Biznesmenët thonë se autoritetet i kanë lënë në harresë, pavarësisht faktit se kompanitë që ndodhen në këtë zonë industriale japin një kontribut të madh në ekonominë e vendit. Gjendja e rrugës është e pandryshueshme tashmë dy dekada.
Tek-tuk hidhet ndonjë lopatë me beton, por kjo shërben vetëm si arnim dhe ndodh vetëm para zgjedhjeve, thonë ata.
“Kjo është një rrugë që quhet zonë industriale, ka shumë kompani që punojnë këtu. Këtë rrugë e kanë lënë prej Jugosllavisë së vjetër, gropa sa të dëshirosh, mirëmbajtje zero, për dallim një pjesës tjetër, kur them pjesa tjetër, kuptohet. Ku jeton elita, e ju ndërrohen vetëm postet dhe gjithçka është e mundur për ta. Kurse për ne, ndonjë lëmoshë nëse na japin, eventualisht kur ju duhet ndonjë votë vinë te ne…. Ja kjo gropa këtu është, domethënë këtu një makinë më luksoze, ai e len gomën aty, eventualisht diskun. Ato lopatat i hedhin në kohën e zgjedhjeve, sa të ua lajnë sytë njerëzve. Kur të kalojnë zgjedhjet i marrin lopatat dhe ato që kanë ngelë jashtë kamerës, ato me vite mbesin ashtu”, tha një qytetar.
Biznesmenët thonë se përveç dëmeve që pësojnë automjetet e tyre, ata përballen me turpin, sa herë që vizitohen nga partnerët Evropianë me të cilët bashkëpunojnë.
“Kjo rrugë është kështu më shumë se 20 vite, kjo është e turpshme, është një zonë industriale, vijnë partnerët tanë nga e gjithë Evropa, secilën ardhje të dytë pyesin, çfarë ndodhi me rrugën, deri kur do të jeni kështu. Është turp për qytetin dhe shtetin”, u shpreh një qytetar.
“Vështirë është, është e gërmuar, nuk është e mirë as për makina…”, shtoi një qytetar.
Gjatë fushatës zgjedhore madje në dy mandate tashmë, kreu aktual i Kumanovës, Dimitrievski kishte premtuar meremetimin e kësaj rruge edhe gjatë takimeve me biznesmenët në këtë hapësirë. Deri tani, një premtim i tillë nuk është realizuar.
Në programin e Dimitrievskit, në faqe 20-21 potencohen disa projekte parësore në mesin e të cilëve përfshihen edhe investimet infrastrukturore në rrugë lokale, të qendrës dhe atyre që lidhin qytetin me fshatrat përreth.
Kërkuam të dimë qëndrimin e Komunës së Kumanovës, pse kjo rrugë nuk është bërë, pse është lënë anësh dhe pse nuk investohet ashtu siç ishte premtuar. Nuk morëm përgjigje. Shërbimet komunale për komunikime me mediat, nuk u përgjigjen në pyetjet tona. /Alsat.mk