Rruga pranë ” Arabati baba” rrezikon banorët
Rruga pranë " Arabati baba" rrezikon banorët

Gazetar: Bashkim Sulejmani
Kjo është një ndër rrugët më të frekunetuara. Lidh qytetin e Tetovës dhe atë të Gostivarit përmes rrugës së vjetër apo siç njihet ndryshe rruga e fshatrave. Ndërsa është e frekuentuar edhe me kalimtarë që ecin në këmbë këtë rrugë, shkaku i banorëve të lagjes, por, kjo rrugë ditëve të fundit, po ashtu po bëhet edhe më e rrezikshme, shkaku i vjetërsimit të objektit të teqesë Arabati Baba i cili çdo moment rrezikon të shembet, ndërsa për muaj të tërë askush nuk ndërmerr masa.
Banorët ankohen se përveç makinave, në këtë rrugë kalojnë çdo ditë edhe fëmijët, ndërsa tjegullat gjithnjë e më tepër bien nga pullazi i shkatërruar i objektit. Kërkojnë ndërmarrjen e masave dhe mos të presin të ketë ndonjë viktimë.
“Në rrezik të madh janë sidomos fëmijët, por askush nuk ndërmerr masa askush nuk vjen të na sheh, vetëm kur vijnë votimet vijnë pastaj aspak më. Bien tjegulla ja shiheni vetë, ndërsa ne kalojmë kënde, fëmijët përditë kalojnë makina të ndryshme”, tha një banor.
“Shumë rrezik është sepse në këtë anë të murit bien tjegullat ndërsa ne kalojmë. Institucionet e dinë vetë këtë, duhet dikush të interesohet por askush nuk vjen”, u shhpreh një banor.
“Me siguri që organet kompetente duhet të merren me këtë gjë. Fatkeqësitë ndodhin pa pritur, andaj duhet ta bëjnë përpara se të ndodh e të bëhet vonë”. theksoi një banor.
Nga komuna e Tetovës deklaruan se objekti ka pronar, të cilët duhet të kujdesen.
“Objektet dhe tokat kanë pronar andaj komuna nuk mund të intervenojë pa lejen e tyre. Përpos kësaj në bazë të Ligjit për kulturë, këto monumente janë në kuadër të Ministrisë së Kulturës dhe Qendrës për Mbrojtje të Monumenteve”, theksoi Besarta Ramadani. Zëdhënëse e komunës së Tetovës.
Kanë reaguar edhe nga Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut, nga, ku kërkojnë që Myftinia e Tetovës të merr masat e duhura për mbrojtje të banorëve, sepse, sipas tyre, objekti dhe toka e teqesë Arabati Baba, janë në pronësi të BFI-së. Ndërkohë në gjendje tejet të keqe nuk është vetëm ky objekt që shihet nga jashtë, por edhe disa objekte brenda kompleksit Arabati Baba, të cilat për vite me radhë presin sanimin dhe mbrojtjen e tyre./Alsat.mk